Sqarim i BQK-së për opinionin publik

Lidhur me artikujt “Shfuqizohet Pool’i” dhe “Hetohen bankat” të  botuara në të përditshmën “Express
Me qëllim të informimit të drejtë Banka Qendrore e Republikës së Kosovës përmes kësaj shkrese qartëson hutinë që ka mundur të shkaktojë artikulli i botuar në gazetën “Exspress”, më datën 18 dhjetor,  lidhur me sigurimin kufitar që aplikohet për motoristët me targa të huaja.

Objekt i shqyrtimit nga ana e Komisionit të Konkurrencës ka qenë  mënyra e shitjes së sigurimit kufitar përmes bashkësigurimit apo “poolit” e jo çështja e polices kufitare si formë e domosdoshme e sigurimit të palëve të treta nga aksidentet që shkaktojnë  motoristë me targa të huaja gjatë kohës se qëndrimit në Kosovë.

Kosova nuk është  e anëtare e Këshillit të Byrove dhe si rezultat kartoni i gjelbër nuk  mbulon dëmet e shkaktuara nga këta motoristë në Kosovë, prandaj nëse nuk do aplikohej sigurimi kufitar palët e dëmtuara brenda kufijve të Kosovës nga motoristët me targa të huaja nuk do kishin mundësinë e kompensimit të dëmit nga askush.

 
Komisioni i Konkurrencës në kontaktet që kanë pasur me BQK-në kanë ngritur për diskutim  formën e  shitjes së këtij produkti të detyrueshëm, për të cilin komisioni vlerëson se është në kundërshtim me konkurrencën dhe sugjerojnë shfuqizimin e saj, duke sugjeruar që shitja e sigurimeve kufitare të bëhet individualisht nga ana e kompanive të sigurimit në pikat kufitare. 

Forma e këtillë  e shitjes, e cila është aplikuar deri në vitin 2002, ka treguar një seri të dobësive, duke filluar nga mungesat hapësinore dhe teknike në zonat neutrale ndërmjet kufijve shtetëror, kjo formë e shitjes rrit shpenzimet operative dhe koston e sigurimit kufitar, krijon probleme për imazhin e Kosovës në raport me policëmbajtësit që hyjnë në territorin e Kosovës si dhe problemet tjera nga të cilat dëmtohen interesat e atyre që blejnë këtë policë. Shitja përmes bashkësigurimit është  zgjidhje tranzitore e përgatitur në bashkëpunim me Këshillin e Byrove të Kartonit  të Gjelbër.

Organizimi i kësaj  forme është një formë shitjeje e zbatuar në shumë shtete si formë efikase dhe racionale e sigurimit , për  një produkt i cili është unik dhe rregullon në mënyrë unike të drejtat , detyrimet dhe përjashtimet nga ky lloj sigurimi.

Çështja e dytë e deklaruar nga i njëjti autoritet,  ai i Komisionit  të  Konkurrencës,  në artikullin “Hetohen bankat” të botuar po në gazetën “Express” më datën 19 dhjetor , për gjëja ekzistimin e marrëveshjës së  fshehte në mes të bankave komerciale në Kosovë për mbajtjen e normave të kamatave në nivel të lartë. Banka Qendrore është e shqetësuar për deklaratën në fjalë e cila mund të ndikojë në dëmtimin e besueshmërisë në sistemin bankar. Banka Qendrore është e mandatuar  me ligj që të bëjë licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullim e bankave komerciale që operojnë në Kosovë.

Në kuadër të këtij mandati mbikëqyrja e bankave komerciale zhvillohet në kontinuitet përmes inspektimeve në vend dhe monitorimit nga jashtë, dhe gjatë ushtrimit të këtij aktiviteti asnjëherë nuk ka hasur në një marrëveshje të tillë dhe nuk është në dijeni për ekzistimin e një marrëveshjeje të tillë.
BQK-ja  me vëmendje përcjell trendin e normave të interesit si në kredi edhe në depozita dhe konsideron se normat e kamatave vazhdojnë të jenë të larta, megjithatë duhet theksuar se përcaktimi i normave të kamatave si në kredi ashtu edhe në depozita janë çështje të ekonomisë së tregut.

Ato reflektojnë nivelin dhe strukturën e zhvillimit ekonomik të vendit, si dhe ambientin e përgjithshëm në të cilin operojnë bankat si dhe perceptimin e rreziqeve nga ana e bankave.

Megjithatë, BQK-ja është angazhuar dhe është promotore e konkurrencës së shëndoshë në sistemin bankar dhe vlerëson se krahas zhvillimeve  të kushteve të përgjithshme dhe atyre ekonomike në Kosovë normat e interesit do të vazhdojnë  me ulje.  
Si institucione publike vlerësojmë që secili nga ne duhet të jetë i kujdesshëm në deklarime, sepse kemi përgjegjësi publike ndaj opinionit të gjerë për informim dhe njoftim sa më korrekt në zhvillimet e përgjithshme dhe të problemeve me të cilat preokupohemi çdo ditë.