BQK kufizon shpenzimet e siguruesve

Me qëllim të ruajtjes dhe forcimit të stabilitetit të sektorit të sigurimeve, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, ka miratuar Rregulloren për Menaxhimin e Komisioneve dhe Shpenzimeve Operative të siguruesve.

Kjo rregullore përcakton kriteret dhe kufizimet për menaxhimin e komisioneve dhe shpenzimeve për siguruesit jojetë, si dhe përcakton nivelet e lejuara të komisioneve të ndërmjetësimit dhe shpenzimet operative. Zbatimi i kësaj rregulloreje do të mbikëqyret nga BQK-ja në mënyrë të plotë përmes raportimit nga ana e siguruesve dhe mbikëqyrjes në vend.

Kufizimi i shpenzimeve për komisionet e ndërmjetësimit dhe shpenzimeve operative do të kontribuojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në përmirësimin e performancës financiare të këtij sektori, dhe rrjedhimisht në rritjen e kapaciteteve të siguruesve për të paguar dëmet ndaj palëve të dëmtuara. Miratimi i kësaj rregulloreje është në vazhdën e aktiviteteve të tjera të ndërmarra së fundmi nga BQK-ja për forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit të sigurimeve.

BQK-ja mbetet e përkushtuar në marrjen e të gjitha masave dhe veprimeve të nevojshme për të përmbushur detyrat e saj ligjore, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të sistemit financiar dhe mbrojtjes së interesave të publikut.   

Linku i rregullores: 

https://bqk-kos.org/repository/docs/korniza_ligjore/shqip/Rregullore%20për%20menaxhimin%20e%20komisioneve.pdf