BQK-ja informoi bankierët e rinj me mënyrën e funksionimit dhe rolin e saj në ekonomi

Zyrtarë të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës kanë mbajtur një ligjëratë me bankierët e rinj nga Banka Private e Biznesit, në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë në funksion të edukimit financiar.
Para bankierëve të rinj është shpjeguar roli i BQK-së dhe përgjegjësitë e saj.
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka si mision të ruajë stabilitetin financiar, të sigurojë sistem efektiv të pagesave dhe furnizim me para të gatshme, si dhe t’i ofrojë këshilla ekonomike Qeverisë dhe subjekteve të tjera publike. Gjithashtu, BQK-ja edhe pse nuk është e përfshirë në disenjimin, shtypjen dhe prerjen e monedhës Euro, siguron që vendi të ketë sasi dhe cilësi adekuate të monedhës së Euros. Në vitin 2002 BQK-ja themeloi sistemin e pagesave ndër bankare, kurse nga viti 2011 jemi bërë anëtarë të SWIFT-it”, ka deklaruar Nexhat Miftari, shef i kabinetit të Guvernatorit të BQK-së. 

Miftari ka folur edhe për mbikëqyrjen bankare ku aktualisht në Kosovë janë të licencuara 10 banka, 8 prej të cilave janë me kapital të huaj dhe 2 banka me kapital vendor.

“Vlera e gjithsej mjeteve të sektorit bankar në janar të vitit 2019 arriti në 4.163 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 7.6% krahasuar me janar 2018. Gjithsej kreditë (bruto) në janar të vitit 2019 ishin në shumë prej 2.75 miliardë euro, të cilat shënuan rritje vjetore prej 11.4%. Depozitat në janar të vitit 2019 evidentojnë 3.348 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 8.4%. Treguesi i kredive joperformuese ishte në normën prej 2.6% në janar të vitit 2019 nga 3.1% sa ishte në janar të vitit 2018”, ka thënë Miftari.

Ai ka thënë se nivelet e kapitalit të bankave janë të mjaftueshme për të mbështetur profilin e rrezikut të tyre, pasi ato janë mbi minimumin e kërkuar rregullatorë. 

Miftari i informoi bankierët e rinj edhe për ndryshimet ligjore dhe ato rregullative, duke përfshirë hyrjen në fuqi të Rregullorës së Standardit Ndërkombëtar të Raportimit Financiar (SNRF) 9, Rregulloren për Adekuatshmërinë e Kapitalit të Bankave, Rregulloren për Treguesit e Leverazhit dhe

Rregulloren mbi Procesin e Vlerësimit të Brendshëm të Mjaftueshmërisë së Kapitalit, të cilat do të hyjnë në fuqi nga data 1 janar 2020.
Nga ana tjetër bankierët e rinj parashtruan pyetje rreth shumë proceseve që i kryen BQK-ja.