BQK shënoi Ditën Ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të Konsumatorit

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 20 vjetorit të themelimit ka mbajtur diskutim për nder të Ditës Ndërkombëtare të mbrojtjes së Konsumatorit me temë: Roli i BQK-së në fushën e mbrojtjes së Konsumatorit.

Me këtë rast, Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti tha se falë marrjes së masave nga BQK-ja gjatë këtyre 20 viteve, kanë ndikuar që vendi të ketë një sistem financiar modern dhe të shëndoshë, i cili me shumë sukses po realizon rolin e tij të ndërmjetësimit financiar në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë së vendit.

Vend të rëndësishëm sipas Guvernatorit Mehmeti kanë zënë aktivitetet, të cilat kanë për qëllim mbrojtjen e Konsumatorit të shërbimeve financiare, duke u fokusuar në dy shtyllat kryesore të mbrojtjes së Konsumatorit: shqyrtimi i ankesave të konsumatorëve dhe edukimi financiar.

“Përderisa në vitet e para të funksionimit të sistemit financiar, fokusi ishte në krijimin e kushteve për sigurimin e shërbimeve financiare bazike për ekonominë e vendit, tani kemi arritur në një fazë ku çdo ditë e më tepër po i kushtojmë rëndësi më të madhe edhe cilësisë së këtyre shërbimeve, ku pa dyshim se vend shumë të rëndësishëm zënë aktivitetet të cilat kanë për qëllim mbrojtjen e Konsumatorit të shërbimeve financiare. Përmes shqyrtimit të ankesave, BQK-ja synon sigurimin e zbatimit të të gjitha të drejtave dhe detyrimeve kontraktuale ndërmjet institucioneve financiare dhe klientëve, në rastet kur klientët konsiderojnë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Në vitet e fundit, numri i klientëve të institucioneve financiare që parashtrojnë ankesë në BQK, lidhur me zbatimin e të drejtave të tyre kontraktuale është rritur. Ne konsiderojmë se rritja e numrit të ankesave në mënyrë të drejtpërdrejtë reflekton vetëdijesimin më të lartë të klientëve rreth të drejtës dhe mundësisë së tyre për ankesë, gjë e cila po i kontribuon mbrojtjes më të mirë të të drejtave të tyre, por edhe po i kontribuon korrigjimit dhe avancimit të proceseve të brendshme në vetë institucionet financiare në ofrimin dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të shërbimeve financiare, si dhe evitimin e  gabimeve të ndryshme. Ankesat e klientëve paraqesin një burim shumë të rëndësishëm informacioni edhe për BQK-në, e cila shpeshherë i merr ato në konsideratë gjatë aktiviteteve mbikëqyrëse të institucioneve financiare”, ka thënë Guvernatori Mehmeti.

Guvernatori Mehmeti ka thënë se përveç aktiviteteve për adresimin e shkeljeve të mundshme nga institucionet financiare në raport me të drejtat e klientëve, BQK-ja po punon intenzivisht në edukimin financiar të publikut, i cili ka për qëllim që të rritë sa më tepër shkallën e njohurive të publikut rreth produkteve financiare dhe të drejtave të tyre në raport me institucionet financiare. 

“Përveç aktiviteteve të saj në promovimin e edukimit financiar, BQK-ja në mënyrë të vazhdueshme inkurajon edhe vetë institucionet financiare, që të rritin aktivitetin e tyre në mbështetje të rngritjes së njohurive të publikut rreth produkteve financiare, sepse konsumatorët e mirinformuar ndërmarrin veprime të arsyeshme dhe kontribuojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e mëtejmë dhe ruajtjen e stabilitetit financiar”, ka thënë Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti. Po ashtu Guvernatori Mehmeti ka  përmendur edhe kontributin e BQK-së për mbrojtjen e konsumatorit si anëtare e Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit, një trup ndërinstitucional që ka për qëllim të sigurojë një qasje të harmonizuar dhe gjithëpërfshirëse në sigurimin e mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Kosovë. 

Nga ana tjetër, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka falënderuar Guvernatorin Mehmeti për organizimin e këtij diskutimi duke shprehur gatishmërinë që të vazhdohet edhe më tutje bashkëpunimi mes dy institucioneve në mbrojtjen e Konsumatorit.

Në këtë diskutim është bërë prezantimi i mënyrës së shqyrtimit të ankesave të shfrytëzuesve të shërbimeve financiare në BQK dhe në institucionet financiare.