Guvernatori Mehmeti takoi përfaqësuesit e KfW-së

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka takuar përfaqësuesit e Institutit Kreditor për Rindërtim (Kreditanstalt für Wiederaufbau: KfW) nga Gjermania, të cilët po qëndrojnë në vizitë në Kosovë.
Guvernatori Mehmeti ka informuar zyrtarët e këtij institucioni për gjendjen në sistemin financiar dhe ka falënderuar përfaqësuesit e KfW-së për përkrahjen e vazhdueshme, që kanë dhënë dhe po japin për zhvillimin e sistemit financiar, përkatësisht në përkrahjen e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK).

Me këtë rast, Guvernatori Mehmeti ka deklaruar se sektori financiar ka pasur zhvillime pozitive, ku asetet e sistemit financiar kanë shënuar rritje vjetore prej 6.9%, ndërsa kreditimi bankar ka shënuar rritje vjetore prej rreth 11%, normat e interesit në kredi kanë zbritur në 6.3%, ndërsa norma e kredive joperformuese ka shënuar rënie në 2.7%.

Gjithashtu, Guvernatori Mehmeti i njoftoi përfaqësuesit e KfW-së lidhur me zhvillimet pozitive edhe në sektorët tjerë, si sektori i sigurimeve, pensioneve dhe ai i institucioneve mikrofinanciare dhe financiare jobankare.

Për më tepër, Guvernatori Mehmeti informoi përfaqësuesit e KfW-së për aktivitetet e vazhdueshme të BQK-së në avancimin e mëtejmë të kornizës rregullatore të sistemit financiar, sipas standardeve më të mira ndërkombëtare.

Përfaqësuesit e KfW-së, kryesuar nga Dr. Markus Aschendorf dhe Thomas Reker falënderuan Guvernatorin e BQK-së, Fehmi Mehmeti për bashkëpunimin e vazhdueshëm, si  dhe e njoftuan lidhur me projektet e KfW-së në mbështetje të mëtutjeshme të FKGK-së dhe projekte tjera, si dhe diskutuan për mënyrat e rritjes së mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet KfW-së dhe BQK-së.