Guvernatori Hamza takohet me kreun e Autoritetit Bankar Evropian

Në kuadër të angazhimit për zhvillimin e mëtutjeshëm të fushës së mbikëqyrjes bankare, guvernatori Bedri Hamza ka realizuar një vizitë pune në selinë e Autoritetit Bankar Evropian (ABE) në Londër. BQK-ja është në proces të arritjes së një aranzhimi të bashkëpunimit dhe këmbimit të informacionit me ABE-në për sa i përket mbikëqyrjes konkrete të bankave komerciale dhe zhvillimit të fushës së mbikëqyrjes bankare në Kosovë. ABE-ja është një agjenci e specializuar e Bashkimit Evropian (BE) e themeluar për të arritur një qasje më të integruar për mbikëqyrjen bankare në tërë BE-në. Objektivat e saj të përgjithshme janë të ruajë stabilitetin financiar dhe të mbrojë integritetin, efikasitetin dhe funksionimin e rregullt të sektorit bankar.

Gjatë vizitës, guvernatori Bedri Hamza është takuar me kreun e ABE-së, z. Andrea Enria, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të këtij autoriteti. Në takimin e zhvilluar, guvernatori Hamza i njoftoi nikoqirët mbi orientimet strategjike të BQK-së sa i përket avancimit të mbikëqyrjes financiare në përgjithësi dhe të mbikëqyrjes bankare në veçanti. Ai vuri theksin në përpjekjet që po bëhen për të arritur harmonizimin e standardeve dhe praktikës së mbikëqyrjes bankare në Kosovë duke i përshtatur sa më shumë që është e mundshme me ato në vendet e BE-së. Lidhur me procesin aktual të arritjes së aranzhimit të bashkëpunimit dhe këmbimit të informacionit mes ABE-së dhe BQK-së, guvernatori Hamza e potencoi rëndësinë e këtij procesi për BQK-në dhe falënderoi ABE-në për angazhimin e deritanishëm.

Kreu i ABE-së, z. Enria, shprehu kënaqësinë për realizimin e kësaj vizite në selinë e ABE-së dhe e vlerësoi pozitivisht procesin aktual te arritjes së aranzhimit bashkëpunues me BQK-në. Ai po ashtu e njoftoi guvernatorin Hamza mbi punën aktuale dhe sfidat e ABE-së për arritjen e objektivave të saj, si dhe theksoi se bashkëpunimi mes dy institucioneve do të jetë me rëndësi të ndërsjellë.

Gjatë kësaj vizite, guvernatori Hamza ishte i shoqëruar nga zyrtarë të BQK-së dhe GIZ-it gjerman. GIZ-i është i përfshirë në mënyrë aktive përmes asistencës teknike në avancimin e standardeve dhe praktikës së mbikëqyrjes bankare në BQK.