Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) dhe USAID-i nënshkruan një Marrëveshje për Grant në vlerë prej $ 6.5 milionë për të kapitalizuar Fondin Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK)

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Bedri Hamza dhe Shefi i Misionit të USAID-it y. James Hope kanë nënshkruar një marrëveshje për të siguruar një grant në vlerë prej $ 6.5 milion që do të përdoret nga BQK-ja për kapitalizimin e Fondit të sapokrijuar kosovar për Garanci Kreditore (FKGK). Ky grant i ofron FKGK-së mjetet e nevojshme financiare për të filluar lëshimin e garancive kreditore për institucionet financiare, nën mbikëqyrjen e Bankës Qendrore të Kosovës.
Themelimi i KGCF-së u mundësua falë përpjekjeve të përbashkëta të Qeverisë së Kosovës dhe USAID-it dhe është mbështetur nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës. Qëllimi i FKGK-së është rritja e qasjes në financa për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme duke rezultuar në rritje të prodhimit vendor, krijimin e vendeve të punës, si dhe zgjerimin dhe thellimin e ndërmjetësimit financiar.
Guvernatori Hamza shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë punën që USAID-i dhe ekipi i Programit për Fuqizim të Përkrahjes Kreditore ia kanë kushtuar krijimit të kornizës ligjore dhe institucionale për funksionalizimin e FKGK-së. Ai gjithashtu theksoi se FKGK-ja shënon një zhvillim të rëndësishëm në drejtim të ndërmjetësimit të mëtejshëm dhe zgjerimit të sektorit financiar në Kosovë. Ky zhvillim i ri do të ndihmojë që të kanalizohet likuiditeti bankar në zhvillimin e sektorit privat dhe në përshpejtimin e rritjes ekonomike në Kosovë. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të mbështetur funksionimin e FKGK-së ashtu siç është mandatuar me ligj.

Në anën tjetër, Z. Hope, Shefi i Misionit të USAID-it falënderoi Guvernatorin për mbështetjen e vazhdueshme të BQK-së për transformimin e këtij projekti në një institucion tërësisht të dedikuar financiar - FKGK. Z. Hope nënvizoi rëndësinë kritike që ka qasja në financa për zhvillimin e sektorit privat në Kosovë dhe rolin e Institucioneve Financiare në lehtësimin shumave të duhura dhe llojet e financave për të cilat kanë nevojë NVM-të si në kapitalin afatshkurtër për punë ashtu edhe në investime afatgjata. Pa financim të duhur, nuk mund të zhvillohen bizneset, ndërmarrësit, fermerët, etj. si dhe nuk mund të rritet eksporti dhe punësimi i më shumë njerëzve.
Nënshkrimi i marrëveshjes së grantit shënon një pike të rëndësishme për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin në mes të dy institucioneve. Përderisa USAID mbetet një mbështetës i fortë i shumë projekteve zhvillimore në Kosovë, të dy institucionet mbeten të angazhuara për të vazhduar bashkëpunimin e tyre për iniciativat dhe projektet që kontribuojnë në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.