Zëvendësguvernatori i BQK-së Lulzim Ismajli po merr pjesë në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore

Delegacioni i Republikës së Kosovës, i përbërë nga Zëvendësguvernatori i BQK-së, z. Lulzim Ismajli, krahas Ministrit të Financave, z. Avdullah Hoti, Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, z. Blerand Stavileci, dhe Zëvendësministrit të Financave, z. Agim Krasniqi, po merr pjesë në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, të cilat po  zhvillohen në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  
Delegacioni i Kosovës përveç pjesëmarrjes në sesionin plenar të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, ka zhvilluar takime bilaterale edhe me zyrtarë të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku është takuar me zëvendësdrejtorin menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, z. Min Zhu, drejtorin për Evropë, z. Paul Thomsen, drejtorin ekzekutiv, z. Ibrahim Canakci, si dhe përfaqësues të tjerë.  Në këto takime është diskutuar për një numër çështjesh, duke përfshirë edhe progresin e arritur në implementimin e Programit Stand-By. 
 Delegacioni i Kosovës është takuar edhe me zyrtarë të lartë të Bankës Botërore, ku kanë zhvilluar takime me dy zëvendëspresidentët e Bankës Botërore, z. Cyril Muller dhe znj. Laura Tuck, drejtorin ekzekutiv, z. Franciscus Godts, si dhe drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor, znj. Ellen Goldstein, me të cilët kanë diskutuar për nevojën që Banka Botërore të përkrahë në Kosovë një numër të projekteve kapitale.