Guvernatori Hamza u takua me delegacionin e lartë të Misionit të FMN-së për Kosovë të kryesuar nga z. Jacques Miniane

Një delegacion i lartë i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i kryesuar nga z. Jacques Miniane po qëndron për vizitë në Kosovë. Ata sot janë pritur në një takim nga Guvernatori i Bankës Qëndrore të Republikës së Kosovës z.Bedri Hamza .
Gjatë këtij takimi, Guvernatori Hamza e ka njoftuar delegacion e Misionit të FMN-së të kryesuar nga z. Jacques Miniane lidhur me zhvillimet aktuale ekonomike dhe financiare në vendin tonë me theks të veçantë për përformancën e sistemit bankar në Kosovë. Guvernatori Hamza ka shpalosur para këtij delegacioni të Misionit të FMN-së po ashtu edhe treguesit kryesorë të sektorit financiar të vitit 2015, si dhe performancën aktuale të kësaj periudhe të vitit. Guvernatori më tej u shpreh se sektori bankar në Kosovë vazhdon të jetë stabil , i kapitalizuar mirë dhe është fitimprurës. Kemi të bëjmë me një rritje të kredimit gjatë 2015 e cila është rritja më e madhe që ka ndodhë viteve të fundit. Kreditë joperformuese vazhdojnë që të kenë trend stabil dhe janë mirë të provizionuara. Në përgjithësi kemi të bëjmë me këtë sektor të karakterizuar me zhvillime pozitive, potencoi ndër të tjera Guvernatori Hamza.
Ndërsa z. Miniane njoftoi Guvernatorin për qëllimin e vizitës, duke theksuar se kjo vizitë është në vazhdën e vizitave të programit në kuadër të vlerësimit të programit të FMN-së për Kosovë. Këto takime zhvillohen edhe në të gjitha shtetet anëtare të FMN-së. z.Miniane ka vlerësuar lartë punën dhe përformancën e treguesve të sistemit financiar.
Në fund u shpreh gatishmëria e të dy palëve për thellimin e bashkëpunimit në mes të BQK-së dhe FMN-së. Në takim përveç ekipit nga Uashingtoni, mori pjesë edhe përfaqësuesi resident i FMN-së në Kosovë z. Rud Wermelen .
Delegacion i lartë i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i kryesuar nga z. Jacques Miniane do të qëndrojnë për vizitë në Kosovë deri më 5 prill, me ç’rast do të kenë takime me përfaqësues të institucioneve të Kosovës .