Në kuadër të Javës së Parasë në Fakultetin Ekonomik të UP-së u mbajt ligjërata me temën “Zhvillimi i tregut të letrave me vlerë në Republikën e Kosovës

Pas aktiviteteve të zhvilluara në nivel vendi , me nxënës në shkollat fillore dhe atë të mesme , Banka Qendrore e Kosovës ka vazhduar me shënimin e Javës Ndërkombëtare të Parasë edhe në Universitet. Në kuadër të shënimit të kësaj ngjarjeje, zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) kanë mbajtur një ligjëratë me studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës me temën “Zhvillimi i tregut të letrave me vlerë në Republikën e Kosovës ".
Ligjërata u mbajt nga Shkëndije Nahi, drejtoreshë e Departamentit për Menaxhimin e Mjeteve në BQK. Në këtë ligjëratë u diskutua për tregun e letrave me vlerë të Qeverisë, rolin e BQK-së në këtë proces, instrumentet dhe rëndësia e tregut të letrave me vlerë, pjesëmarrësit në këtë treg dhe kushtet e pjesëmarrjes në tregun primar dhe sekondar.
Studentët shprehën interesimin e tyre duke u kyçur në bashkëbisedim me pyetjet e shtruara dhe me diskutimin e hapur për temat, që mbulon fusha e tregtimit të letrave me vlerë. Ndërsa interesim tek studentët, në këtë ligjëratë shfaqi edhe simulimi i një ankand për letrat me vlerë të Qeverisë, si dhe transaksionet në tregun sekondar. Ishte hera e parë që studentët patën rastin të njihen nga afër me organizimin dhe funksionimin e një ankandi të tregtimit të letrave me vlerë. Në fund Prof.Dr.Driton Balaj Prodekan për çështje mësimore në Fakultetin Ekonomik , ka falënderuar menaxhmentin e BQK-së për mundësinë e dhënë studentëve të Fakultetit Ekonomik, që nga afër të kenë mundësinë të ndjekin një ligjëratë të shkëlqyer dhe shumë të dobishme për ta. Ai u premtoi studentëve se edhe gjatë vitit do të kenë mundësi të ndjekin ligjërata të tjera nga ekspertët të BQK-së. Gjithashtu ka falënderuar BQK-në për ndihmën që ofron për studentët e dalluar, duke u mundësuar ndjekjen e praktikës gjatë muajve të verës në BQK.