Guvernatori Hamza priti delegacionin e lartë të Bankës Botërore

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Bedri Hamza, ka pritur sot në takim Zëvendëspresidentin e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore, z. Cyril Muller, i cili shoqërohej nga znj.Ellen Goldstein-Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor dhe z. Marco Mantovanelli- Përfaqësues i Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni.
Gjatë këtij takimi Guvernatori Hamza ka bërë një rezyme në lidhje me zhvillimet e fundit në sektorin financiar në Kosovë, duke nënvizuar qëndrueshmërinë dhe performancën pozitive të sektorit bankar në përgjithësi. Gjithnjë sipas këtyre treguesve u tha se kemi të bëjmë me shëndetshmërinë e sistemit financiar në vend.
Më tej, Guvernatori Hamza dhe delegacioni i Bankës Botërore, i kryesuar nga z. Cyril Muller përveç temave rreth zhvillimeve të fundit ekonomike dhe financiare, kanë diskutuar edhe për mbështetjen shumëdimensionale, që Banka Botërore vazhdon të japë në zhvillimin ekonomik dhe institucional të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, Guvernatori Hamza e ka njoftuar delegacionin e lartë të Bankës Botërore edhe për rëndësinë e projekteve të financuara nga ana e Bankës Botërore, me fokus në segmentet përbrenda projekteve për forcimin e sektorit financiar dhe infrastrukturës së tregut.
Ndërkaq, me këtë rast z. Muller ka vlerësuar progresin e arritur, si dhe performancën në fushën financiare, ku përveç që ka çmuar bashkëpunimin e lartë të BQK-së me Bankën Botërore, ai i ka konfirmuar Guvernatorit Hamza se Banka Botërore do të vazhdojë mbështetjen e saj për të gjitha fushat të cilat janë me interes për zhvillimin e BQK-së dhe për zhvillimin e sektorit financiar në përgjithësi.
Në fund, të dy bashkëbiseduesit u zotuan se BQK-ja dhe Banka Botërore do të zgjerojnë edhe më shumë në fushat e bashkëpunimit me projekte në të ardhmen, qofshin ato të sferave të asistencës teknike apo të mbështetjeve në forma të tjera.