Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shton bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës z. Bedri Hamza ka pritur në një takim z.Gent Sejko Guvernator i Bankës së Shqipërisë. Guvernatori ka falënderuar z.Sejko për vizitën dhe fillimisht u ndal për një shpjegim të detajuar për zhvillimet ekonomike e financiare në Kosovë, me theks të veçantë për industrinë bankare, industrinë e sigurimeve dhe për sfidat nëpër të cilat ka kaluar ky sistem. Gjithnjë sipas të dhënave dhe treguesve të zhvillimeve aktuale kemi të bëjmë me një sistem të shëndoshë dhe likuid, ka zhvillime pozitive në vazhdimësi në gjithë sektorët, u shpreh Guvernatori Hamza.
Gjatë bashkëbisedimit të dy guvernatorët kanë shkëmbyer informacione lidhur me zhvillimet në përgjithësi, si dhe për sfidat në të cilat po kalojnë sektorët financiarë të të dyja vendeve.

Guvernatori Hamza, ka falënderuar z.Sejko për kontributin e deritashëm të Bankës së Shqipërisë dhënë BQK-së dhe njëherësh potencoi vullnetin e BQK-së për të avancuar më tutje frymën e bashkëpunimit konform marrëveshjeve të mëhershme të arritura mes dy institucioneve tona duke thelluar frymën e bashkëpunimit në zhvillimin profesional të punonjësve të të dyja institucioneve me fokus të veçantë në fushën e analizave dhe modelimit makroekonomik, integrimit evropian, planifikimit strategjik, stabilitetit financiar, sistemit të pagesave dhe edukimit financiar.
Nga të dy bashkëbiseduesit me këtë rast u vlerësua lart bashkëpunimi në mes të dy institucioneve, ku BQK-së përmes Guvernatorit Sejko nga ana e Bankës së Shqiperisë i është ofruar thellimi i bashkëpunimit në fushat e ndryshme, që përkojnë me zhvillimet në frymën e praktikave më bashkëkohore. Po ashtu Guvernatori Hamza ka shfaqur gatishmërinë e BQK-së, që gjithnjë konform frymës së shkëlqyer të bashkëpunimit të ofrojë ndihmën e saj për fushat e ndryshme, që BSH-ja i konsideron si të rëndësishme në marrjen e përvojave.
Gjatë këtij takimi z.Sejko ka falënderuar Guvernatorin Hamza dhe BQK-në dhe ka premtuar se takimet e institucioneve tona, si dhe bashkëpunimi profesional me BQK-në do të vazhdojnë edhe në të ardhmën dhe do të jetë efikase duke rikonfirmuar gatishmërinë e institucionit që drejton për mbështetje të mëtejmë dhe për bashkëpunim të ngushtë me BQK-në, në adresimin e çështjeve të cilat konsiderohen me interes të përbashkët.
Guvernatori Sejko i shoqëruar nga Guvernatori Hamza bën një vizitë homazh në Memorialin e familjes Jashari, si dhe vizituan qytetin e Prizrenit. Kjo ishte vizita e parë në Kosovë e Guvernatorit Sejko që nga marrja e postit të Guvernatorit.