Guvernatori Hamza priti në takim Ambasadorin Amerikan Greg Delawie

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur sot në një takim Shkëlqesinë e tij, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, i shoqëruar nga drejtori i USAID-it, James Hope, dhe Drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike e USAID-it, Scott Cameron Në këtë takim, ka falënderuar ambasadorin Delawie për mbështetjen e vazhdueshme që BQK-ja ka marrë nga Qeveria e SHBA-së, duke u shprehur i bindur që ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Po ashtu, Guvernatori Hamza ka informuar ambasadorin Delawie lidhur me zhvillimet e fundit në sektorin financiar, në përgjithësi, dhe në sektorin bankar, në veçanti. Guvernatori Hamza ka theksuar se sektori financiar në Kosovë vazhdon të jetë i qëndrueshëm, likuid dhe i kapitalizuar mirë dhe me zhvillime pozitive. Hamza ka njohur ambasadorin Delawie me të dhënat e vitit 2015 në sistemin bankar, duke theksuar se edhe në vitin e kaluar, bankat kanë pasur një afarizëm mjaft pozitiv, me rritje pozitive të kreditimit dhe të depozitave, si dhe me një nivel të ulët të kredive joperformuese. Kjo ka bërë të mundur që bankat ta shtojnë angazhimin e tyre në kreditimin e sektorit real të ekonomisë, duke ulur në mënyrë të ndjeshme normat e interesit në kredi në krahasim me vitet paraprake. Më tej, Guvernatori Hamza ka pohuar se këto zhvillime pozitive në sektorin financiar kanë pasur një ndikim shumë të rëndësishëm për rritjen e zhvillimit ekonomik të vendit. Sa u përket angazhimeve institucionale, Hamza ka theksuar se BQK-ja ka arritur t’i përmbushë me sukses të plotë dhe para afateve të gjitha kriteret e përcaktuara në Marrëveshjen Stand-by me FMN-në. Në këtë mënyrë, BQK-ja ka dhënë pjesën e saj të kontributit në kuadër të plotësimit të detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje.

Nga ana e tij, ambasadori Delawie ka çmuar angazhimin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për rregullimin e Sektorit Financiar si dhe ka nënvizuar se Shtetet e Bashkuara do të thellojnë bashkëpunimin dhe do vazhdojnë të mbështesin Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës në fusha të ndryshme të cilat ndihmojnë në avancimin e funksioneve të saja.