Banka Qendrore në konferencën e fundvitit me gazetarë ndau Çmimin për Ekonomistë të Rinj

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka arritur me sukses të realizojë objektivat e saj ligjore duke siguruar një sistem financiar stabil dhe me trend të kënaqshëm të zhvillimit, i cili ka vazhduar të jetë një ndër mbështetësit kryesor të zhvillimit ekonomik të vendit, ka theksuar Guvrnatori Bedri Hamza në konferencën e fundvitit me përfaqësuesit e mediave të mbajtur sot në BQK. Sipas tij sektori bankar gjatë vitit 2015 përforcoi edhe më tutje treguesit e qëndrueshmërisë. Po ashtu u tha se norma e kredive joperformuese e cila edhe ashtu ishte në nivel mjaft të ulët, gjatë vitit 2015 shënoi rënie të mëtutjeshme. Norma e kredive joperformuese në nëntor 2015 u zvogëlua në 6.5 përqind krahasuar me 8.5 përqind sa ishte nëntor 2014.
Kjo normë e kredive joperformuese paraqet nivelin më të ulët të regjistruar që nga qershori i vitit 2012 dhe vazhdon ta mbajë Kosovën, si vendin me normën më të ulët të kredive jopërformuese në rajon tha Guvernatori duke shtuar se përveç sektorit bankar me rritje të aktivitetit u karakterizuan edhe sektorët e tjerë përbërës të sistemit financiar: si sektori pensional ,asetet e sektorit të sigurimeve po ashtu shënuan rritje si dhe sektori mikrofinanciar gjatë vitit 2015 u karakterizua me zgjerim të aktivitetit.
Ndërsa duke folur për përformancën makroekonomike të ekonomisë së vendit, viti 2015 u karakterizua me ritëm të përshpejtuar të rritjes, të gjeneruar kryesisht nga rritja e kërkesës së brendshme. Norma vjetore e rritjes ekonomike në vitin 2015 pritet të arrijë në rreth 3.5 përqind tha në fjalën e tij drejtuar mediave Guvernatori Hamza duke shtuar se rritja e kreditimit bankar dhe remitencave kishte ndikim të rëndësishëm në rritjen e të ardhurave të disponueshme të qytetarëve dhe rrjedhimisht, në rritjen e konsumit privat.
Një kontribut të rëndësishëm në rritjen ekonomike gjatë këtij viti kanë dhënë edhe investimet e huaja direkte të cilat bazuar në të dhënat deri në tetor, investimet e huaja direkte në raport me vitin e kaluar kanë pasur një rritje. “Në raport me nevojat ku i ka Kosova dhe në raport me vendet e regjionit, Kosova ka nevojë që të ketë më shumë investime të huaja direkte. Mirëpo deri në momentin kur ne i kemi të dhënat tona sa i përket investimeve të huaja direkte janë mbi 300 milionë euro dhe sa do të jenë deri në fund të vitit mbetet të shihet “ tha Guvernatori Hamza.
Ndërsa në vijim Guvernatori theksoi se BQK-ja tanimë e ka bërë traditë ndarjen e çmimeve për ekonomistët e rinj, aktivitet ky që ka për qëllim nxitjen e aktivitetit hulumtues në fushën e ekonomisë në mesin e hulumtuesve të rinj. Lidhur me aplikimet e pranuara vlerësoi numrin dhe cilësinë e punimeve të dorëzuara nga kandidatët për këtë çmim, por shpresojmë se në vitet e ardhshme të rritet edhe më tutje konkurrenca për këtë çmim.

Guvernatori më pas ka ndarë çmimet për Ekonimistë të Rinj. Vendi i parë iu dha autorit Shkumbin Maksutaj me punimin “Përcaktuesit Makroekonomik të Rrezikut Kreditor Bankar: Rasti i Shqipërisë”.
Vendi i dytë iu nda autores Ylberina Hysaj – Arifi me punimin “Sistemet e Punës me Performancë të Lartë, Përdorimi dhe Ndikimi në Institucionet Financiare në Vendet në Zhvillim” ndërsa vendi i tretë i është dhënë autorëve Petrit Dërgutit, Besart Asllanit dhe Flamur Asllanit me punimin “Edukimi Financiar – Rasti i Kosovës”.
Me këtë rast Guvernatori ka njoftuar mediat se BQK-ja nga viti 2016-të do të fillojë të ndajë edhe çmime për storiet më të mira gazetareske në fushën e ekonomisë. Çmimet do të jenë si në vijim :Çmimi për storien më të mirë të publikuar në mediat e shkruara në gazetë apo revista të publikuara në Kosovën ,çmimi për storien më të mirë televizive të transmetuar nga cilido stacion televiziv në Kosovën, si dhe çmimi për storien më të mirë në gazetarinë e radios të transmetuar nga cilido prej radiostacioneve në mbarë Kosovën.
Guvernatori Hamza ka njoftuar gazetarët se : Banka Qendrore në kuadër të aktiviteteve të saj ,bazuar në Planin Vjetor të punës ka paraparë që gjatë vitit 2016-të të organizojë takime të rregullta në formë të punëtorive me gazetarë. Të ftuar do të jenë ekspertë jo vetëm nga BQK-ja dhe fusha akademike por edhe bota e medias. Takimet do të zhvillohen në baza tremujore pra çdo tre muaj do të këtë nga një punëtori, ku do të diskutohen tema nga fushat për të cilat do të dakordohemi bashkërisht ne si BQK dhe komuniteti i gazetarëve .
Po ashtu Guvernatori u përgjigj në pyetjet e gazetarëve si dhe në fund i ka përcjellë falenderimet tek mediat për bashkëpunimin dhe korrektësinë e treguar gjatë vitit 2015 duke ju uruar një vit të ri me shumë shëndet, lumturi dhe suksese në 2016-tën .