Guvernatori Bedri Hamza mbajti një ligjëratë në Universitetin Publik "Isa Boletini “ në Mitrovicë

Ligjërata është mbajtur në kuadër të Programit të Edukimit Financiar, program ky që po zhvillohet nën patronatin e BQK-së me institucionet arsimore të të gjitha niveleve në Kosovë.Tema e kësaj ligjërate të mbajtur nga Guvernatori i BQK-së z.Bedri Hamza, u titullua “ Roli i Bankës Qendrore , funksionet, sistemi bankar në Kosovë, si dhe roli i BQK në ruajtjen e stabilitetit financiar në vend. Ai ka shtjelluar çështjet që kanë të bëjnë me funksionin e BQK-së që nga themelimi i saj e deri më sot, më pas në detaje ka shpjeguar po ashtu edhe detyrat dhe përgjegjësitë që e ngarkojnë BQK-në sipas Ligjit të BQK-së dhe ligjeve të tjera përcjellëse. Në pjesën e dytë të diskutimit Guvernatori ka prezentuar të dhënat dhe performancën e sistemit financiar ndër vite e që mbikëqyret nga BQK-ja. Të dhënat e ofruara ishin në interes për studentët për vet faktin se ata tashmë po njiheshin me të dhënat e institucionit (BQK-së), që është drejtpërdrejt i ndërlidhur dhe i mandatuar për të mbikëqyrur dhe kontrolluar institucionet e licencuara nga vet rregullatori në këtë rast Banka Qendrore. U debatuan çështje nga fusha e mbikëqyrjes bankare, licencimi, mbikëqyrja e sigurimeve, tregu i letrave me vlerë, fondet pensionale, borxhi publik etj. Në pjesën e tretë studentët morën pjesë në debatin e hapur nga Guvernatori për pyetje. Me këtë rast studentët treguan interesim të madh dhe u kyçën në mënyrë aktive në shumë pyetje për fushën bankare, si kreditimi, pastaj u interesuan për rolin e sistemit bankar për zhvillimin ekonomik , rritjen ekonomike, ndikimin e projekteve të mëdha në zhvillimin ekonomik. Guvernatori duke u përgjigjur në të gjitha pyetjet e parashtruara u ka ofruar mbështetjen e plotë të BQK-së për studentët, që të jenë pjesë aktive e programit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të dy institucioneve me theks të veqantë në ngritjen e dijeve të fushave që kanë të bëjnë me Edukimin Financiar, program ky i zhvilluar nga BQK-ja. Guvernatori ka shfaqur gatishmërinë e plotë të BQK-së duke i inkurajuar studentët dhe pedagogët e këtij Universiteti që në të ardhmën mund të jenë pjesë e leksioneve nga fushat e ndryshme, e që janë në interes të zhvillimit të kurikulave të drejtimeve përkatëse. Po ashtu ka porositur profesoratin e këtij Universiteti që të inkurajojnë studentët e dalluar të marrin pjesë në konkursin e BQK-së të titulluar “Programi i Praktikës për Student”, pastaj të aplikojnë për Çmimin për Ekonomist të Rinj dhe në asnjë mënyrë mos të hezitojnë që të kërkojnë të dhëna që BQK-ja i publikon e që u hynin në punë studentëve në realizimin e punimeve të temave të tyre. Në fund Prorektori për Marrëdhënie ndërkombëtare, Prof.Dr. Rifat Morina ka falënderuar Guvernatorin për ligjëratën gjithëpërfshirëse dhe të dobishme për studentët duke uruar që bashkëpunimi i tillë të zgjerohet edhe në vijim duke shpresuar se Universiteti “Isa Boletini” do të përfitojë nga leksionet dhe pjesëmarrjën e studentëve në programet që zhvillon BQK-ja , me theks të veçantë në sferën e Edukimit Financiar.