Në Shkup u mbajt konferenca e parë e Forumit Qendror Rajonal mbi Politikat dhe Përfshirjen Financiare

Banka Qendrore e Maqedonisë në bashkëpunim me Aleancën për Përfshirje Financiare, mbështetjen e Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, Sekretariatin Shtetëror për Çështje Ekonomike të Zvicrës (SECO) nga datat 26-28 tetor 2015 , mbajtën në Shkup Forumin e Parë Rajonal për Politika dhe Përfshirje Financiare.
Kjo konferencë mblodhi ekspertë të njohur nga bota që janë të angazhuar në çështjet e politikave të përfshirjes financiare të sferave si: edukimit financiar, mbrojtjes së konsumatorit, politikave të financave të ndërmarrjeve të vogla dhe tmesme (NVM), shërbimeve dhe të dhënave financiare digjitale .
Gjatë tri ditëve të punimeve të kësaj konference përveç organizimeve të një sërë debateve dhe komisioneve profesionale, si dhe punëtorive nga pjesëmarrësit, në ditën e dytë u aprovua edhe dokumenti i përbashkët i njohur si dokumenti i koncensusit . Në takimin e aprovimit të këtij dokumenti në mesin e 17 –të institucioneve të larta financiare, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës u përfaqësua nga zëvëndësguvernatori z.Lulzim Ismajli.
Aprovimi i këtij dokumenti do të jetë si bazë e përfitimeve të mundshme për përfshirjen financiare për të gjithë rajonin. Para pjesëmarrësve dokumenti final i aprovuar, u prezantua nga guvernatori i Bankës së Maqedonisë z.Dimitar Bogov, i cili përmendi se ky dokument fokusohet në katër fusha të bashkëpunimit rajonal: të mbrojtjes së konsumatorit, edukimit financiar, shërbimeve digjitale financiare dhe financave të NVM-ve.
Lidhur me përfshirjen e BQK-së në këtë nismë, zëvëndësguvernatori z.Ismajli ka zhvilluar një takim me drejtorin ekzekutiv të të Aleancës për Përfshirje Financiare AFI, z. Alfred Hannig. Me ketë rast z.Ismalji ka falënderuar për ftesën e dërguar BQK-së për pjesëmarrje në këtë ngjarje të rëndësishme rajonale duke shprehur gatishmerinë për bashkëpunim nga ana e BQK-së . Ndërsa z.Hannig njoftoi zëvëndësguvernatorin për rolin e Aleancës për Përfshirje Financiare , e cila është një nga organizatat financiare që tashmë ka shtrirje në rajon dhe më gjerë, duke potencuar me këtë rast rolin e kësaj organizate si dhe dobitë e dyanshme të përfitimit të ndërsjellë të institucioneve që janë pjesë e këtij rrjeti. Gjatë këtij takimi zyrtarët e AFI-së i dorëzuan ftesën zyrtare z.Ismajli për antarësimin e BQK-së në ketë nismë. Zëvëndësguvernatori nga na e tij i premtoi z.Hannig dhe zyrtarëve tjerë se në një të ardhme sa më të afërt, BQK-ja do ta shqyrtojë seriozisht ftesën për anëtarsim në AFI.
Në fund të punimeve të këtij sesioni, tek konkluzionet e përbashkëta, u tha se rajoni ynë ka shumë ngjashmëri në fushën e përfshirjes financiare në lidhje me sfidat e përfshirjes financiare. Po ashtu u potencua se kemi përafërsisht një pikëpamje të përbashkët tek niveli dhe cilësia e përfshirjes financiare në ekonomitë e rajonit, që direkt kanë një ndikim të rëndësishëm në perspektivën e tyre për rritje të qëndrueshme.
Përfshirja financiare do të ofrojë gjithashtu një mundësi për avancimin e mëtejshëm, që do të mbështesë dhe lehtësojë shkallë më të madhe dhe qëndrueshmërinë e stabilitetit financiar.
Ndërtimi i një rrjeti të përbashkët rajonal do të ndihmonte për të zgjeruar përpjekjet në mes të vendeve të rajonit me vendet anëtare të AFI-së dhe do të ndikonte në zhvillimin e strategjive dhe projekteve të dobishme të fushave, që kanë të bëjnë me theks të veçantë me mbrojtjen e konsumatorit, edukimin financiar, si dhe qasjen me të lehtë në financa të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme .
Për më shumë rreth deklaratës së përbashkët të dalë nga takimi i mbajtur në Shkup kliko në: Përfshirja Financiare Forumi i Politikave në Evropë dhe Azinë Qendrore .