Fjalimi i zëvendësguvernatorit të BQK z.Fehmi Mehmeti në Konferencën

Të nderuar pjesëmarrës,

Koncepti i stabilitetit bankar e financiar përbën një qasje dhe angazhim shumëdimensional. Padyshim që organizimi i panaireve financiare që tashmë është bërë aktivitet tradicional paraqet një kontribut të theksueshëm në këtë drejtim. Rrjedhimisht, më lejoni të falënderoj Shoqatën e Bankave për organizimin e këtij aktiviteti të rëndësisë së veçantë financiare.
Konform mandatit tonë si rregullator dhe mbikëqyrës të sistemit financiar, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), vazhdimisht përkujdeset që të krijojë ambient të sigurt e konkurrues financiar për të gjithë akterët e licencuar. Qasja drejt konvergjencës me parimet bashkëkohore ndërkombëtare sikurse ato të Bashkimit Evropian e më gjerë, e gërshetuar me një mbikëqyrje shumë më dinamike dhe proaktive, bëjnë që klima e biznesit në Kosovë të jetë e shëndoshë dhe e barabartë për të gjithë akterët. Për më shumë, kjo dëshmohet edhe me futjen e kapitalit të jashtëm në tregun financiar në Kosovë, ku dominojnë institucionet financiare në pronësi të jashtme.
Prezenca e një paneli të nderuar konfirmon rëndësinë e kësaj ngjarjeje dhe njëherësh nevojën që përmes debateve konstruktive të adresohen sfidat nga këndvështrime të ndryshme. Është e rëndësisë kyçe që secili të ketë rolin dhe përgjegjësinë përkatëse në funksion të përmirësimit të ambientit të të bërit biznes në Kosovë, si përmes kritikave e po ashtu edhe përmes ofrimit të zgjidhjeve për sfidat e caktuara. Kur kësaj i shtohen këndvështrimet e ndryshme që kemi, atëherë besojmë fuqishëm se kjo do të kishte një efekt shumë pozitiv në funksion të avancimit të mëtutjeshëm të proceseve e me këtë edhe të zhvillimit ekonomik të Kosovës në përgjithësi.
Besoj se të gjithë pajtohemi që sektori financiar në përgjithësi e bankar në veçanti ka dhënë një kontribut të konsiderueshëm në zhvillimin ekonomik në përgjithësi. Konform përgjegjësive përkatëse, më lejoni që të bëj një përshkrim lidhur me gjendjen e sektorit bankar nga këndvështrimi i rregullatorit dhe mbikëqyrësit të sektorit financiar, në ndërlidhje me financimin e progresit në Kosovë.
Sektori bankar në Kosovë, që paraqet pjesën kryesore të sektorit financiar vazhdimisht ka shënuar rritje si në kontekst të aseteve dhe të kredive, mirëpo ajo që është po ashtu shumë e rëndësishme - në rritjen konstante të depozitave. Për më shumë, depozitat në bankat komerciale shënuan rritje mesatare vjetore prej rreth 9% (periudha 2010 – 2015), përcjellë nga kreditë me rreth 8%. Fakti që vlerat e rritjes korrespondojnë në mes vete, tregon për një qasje të bankave në funksion të përkrahjes së ekonomisë vendore.
Sektori bankar vazhdon të jetë pajtueshmëri me kornizën legjislative në fuqi e që karakterizohet me pozitë likuide dhe të jetë stabil. Me vlerën e kredive në afër 2 miliardë euro dhe me asete në vlerë mbi 3 miliardë euro, në gusht 2015, kreditë joperformuese vazhduan me rënie (në kontekst vjetor) duke u ulur në nivelin 7.45% krahasuar me 8.29% sa ishin në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Rezervat për humbjet nga kreditë arritën në 115.6%, ndërsa treguesit e mjaftueshmërisë së kapitalit arritën në 16.4% dhe 19.3% krahasuar me kufijtë rregullativ prej 8% dhe 12%, respektivisht. Po ashtu, leva financiare, si një indikator i matjes së ngarkueshmërisë me borxh, në gusht 2015 u rrit në 11.8% krahasuar me kriterin rregullator prej 7%.
Në qershor 2015, gjithsej asetet e tregut të sigurimeve arritën në shumë prej 151.2 milionë euro apo 11.5% më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ndërsa ekuiteti rezultoi në shumë prej 52 milionë euro me një rritje prej 8.4%. Sa i përket solvencës dhe likuiditetit, tregu i sigurimeve për këtë periudhë rezultoi me tregues pozitiv duke mbetur mjaftueshëm solvent dhe likuid në raport me kërkesat rregullative. Shuma e dëmeve të paguara për këtë periudhë arriti në 19.6 milionë euro apo 14.9% më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Në të njëjtën kohë, shpenzimet e përgjithshme shënuan rënie për 10.2%. Rrjedhimisht, raporti i pagesës së dëmeve u rrit në 68% në qershor 2015 nga 55% në qershor 2014.

Të nderuar pjesëmarrës,

Kam nderin që të them disa fjalë lidhur me financimin e progresit në Kosovë me theks të veçantë në financimin e patundshmërive (tregun hipotekar) si dhe atë të bujqësisë.
Kontributi i sektorit financiar e posaçërisht bankar në financimin e progresit në Kosovë që nga viti 2000 e deri më tani ka qenë domethënës. Përveç rritjes së vazhdueshme të nivelit të kreditimit madje edhe gjatë kohës së krizës së fundit financiare, një tregues me peshë në këtë drejtim është edhe ai i ndërmjetësimit financiar në raport me produktin e brendshëm bruto. Sipas të dhënave të vitit 2014, ky tregues shënoi nivelin prej 35%, që do të mund të interpretohej se 35% e rritjes ekonomike mund t’i atribuohet përkrahjes financiare nga sektori bankar.
Ky tregues është akoma nën mesataren e vendeve të rajonit, por që bazuar në trendin e kreditimit dhe normave vjetore të rritjes, mund të themi që në një të ardhme të mesme ky tregues mund të arrij nivelin e vendeve të rajonit. Kjo edhe marrë parasysh faktin që sektori bankar në Kosovë është relativisht i ri në krahasim me vendet e rajonit. Ne si rregullator dhe mbikëqyrës mendojmë që edhe sektori bankar në Kosovë duhet të luajë rolin e vet përshpejtues në këtë drejtim.
Në vazhdim po paraqesim një pasqyrë lidhur me tregun e patundshmërive, të cilin e kemi ndarë në tregun hipotekar për banim dhe tregun hipotekar komercial, si dhe atë të bujqësisë.
Përkundër zhvillimit të sektorit financiar në funksion të kreditimit të ekonomisë, zhvillimi i sektorit të kredive hipotekare për banim ende vlerësohet në nivel relativisht të ulët në krahasim me vendet e zhvilluara por edhe ato të rajonit. Nga të dhënat e fundit në dispozicion vërehet se kreditë hipotekare në raport me produktin e brendshëm bruto arrijnë në rreth 5.5%, përderisa ky tregues në vendet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian është dukshëm më i lartë (rreth 20%).
Anë pozitive në këtë drejtim paraqitet ecuria në rritje e kredive hipotekare për banim, cilësia e mirë e tyre dhe ecuria e rënies së normave të interesit për këto kredi. Këto zhvillime pritet të ndikojnë pozitivisht duke mos harruar që ky sektor ka kapacitet mjaftë të lartë për rritje dhe zhvillim të mëtejmë. Rrjedhimisht, për krijimin e një sistemi të qëndrueshëm të financimit të kredive hipotekare për banim, në Kosovë është duke u punuar në sigurimin e një mjedisi më të favorshëm, në shumë drejtime edhe nga akterët e tjerë relevantë.
Ecuria e rritjes së kredive hipotekare për banim dhe kredive hipotekare komerciale edhe më tej mund të thuhet se është e ngadalshme por pozitive, duke njohur një rritje më të përshpejtuar në vitin e fundit. Kreditë hipotekare për banim të cilave do t’ju japim hapësirë më të madhe në këtë raport, kapin shumën prej 143.7 milionë euro duke shënuar rritje vjetore prej 7.4 milionë euro ose 5.4% (qershor 2015 krahasuar me qershor 2014). Ecuria e rritjes paraqitet edhe në kreditë hipotekare komerciale me ç ‘rast evidentuan rritje prej 27.1 milion euro ose 18.4%.
Krahas rritjes së portofolit të kredive hipotekare për banim, anë pozitive paraqitet ecuria në rënie e normave të interesit në këtë kategori si dhe zgjatja e maturitetit të këtyre kredive. Norma efektive e interesit për kreditë e reja është zvogëluar në 7.1% (qershor 2015) krahasuar me 9.3% sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ose nëse kthehemi vetëm tri vite prapa, ku norma e interesit ishte 10.3% (qershor 2012). Rënia e normave të interesit pritet ta rritë kërkesën për kredi në këtë sektor dhe të ndikoj pozitivisht në përshpejtimin e zhvillimit të financimit të patundshmërive në Kosovë. Sa i përket maturitetit, mesatarja e maturitetit të kredive hipotekare për banim ka shënuar rritje të vazhdueshme duke arritur në 85 muaj, ose rritje mesatare të maturitetit për pesë muaj në çdo vit.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm në nxitjen e financimit të këtij sektori është edhe cilësia e mirë e kredive që jepen në këtë sektor. Pjesa dërmuese (95.1%) e kredive hipotekare për banim vlerësohen kredi standard ose vetëm 2.9% e kredive janë të klasifikuara si kredi joperformuese në fund të qershorit 2015. Kreditë joperformuese shfaqen me ecuri të rënies duke regjistruar rënie në 2.9% (qershor 2015) nga 5.0% sa ishin një vit më herët. Në rënien e kredive joperfomuese ndikoi drejtpërdrejt përmirësimi i kredive të klasifikuara të dyshimta dhe humbje, me ç‘rast evidentuan rënie prej 2.7 milion euro ose 39.6% (qershor 2014 – qershor 2015).
Sa i përket kredive hipotekare komerciale, në qershor 2015 ato shënuan vlerën prej 175.0 milion euro, me 94.2% e kredive si kredi standarde dhe 4.3% kredi joperformuese – me një trend të vazhdueshëm në rënie në proporcion me gjithsej kreditë.
Këto rezultate e paraqesin këtë sektor me kapacitet dhe hapësirë mjaftë të lartë për rritje dhe zhvillim të mëtejmë. Rrjedhimisht, për krijimin e një sistemi të qëndrueshëm të financimit të kredive hipotekare për banim, në Kosovë është duke u punuar në sigurimin e një mjedisi më të favorshëm, në shumë drejtime. Në këtë drejtim, BQK dhe Ministria e Financave kanë mbështetur Projektin për Financimin e Banimit përkrahur nga Thesari Amerikan, fokusi kryesor i të cilit ka qenë zhvillimi i kredive hipotekare për banim në Kosovë dhe çështje të tjera që kishin një efekt të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit të kredive për banim.
Si pikënisje për zhvillimin e sektorit të kredive hipotekare për banim, projekti është angazhuar në krijimin e kornizës rregullative për kredi hipotekare dhe aktualisht kemi rregulloren për kreditë hipotekare për banim e cila përfshin të gjitha aspektet e kreditimit si: procesin e lejimit të kredive, dokumentet e kërkuara, monitorimin, raportimin si dhe peshimin me rrezik të këtyre kredive për nevoja të adekuatshmërisë së kapitalit.
Sa i përket financimit të bujqësisë, indikatorët tregojnë që financimi i bujqësisë përmes kredive bankare ka trend rritës. Kreditë për bujqësi në sektorin bankar të Kosovës në fund të qershorit 2015 kapin shumën prej 51.0 milionë euro duke shënuar rritje vjetore prej 5.5 milionë euro ose 12.2%. Norma e interesit, gjithashtu paraqitet me trend rënës. Kreditë e reja për bujqësi në qershor 2015 janë lejuar në mesatare me normë prej 7.7% për dallim nga 13.3% sa ishin në periudhën e njëjtë të vitit 2014.
Si përfundim, nga pikëpamja e rregullatorit dhe mbikëqyrësit vlerësojmë që:
(i) ekziston kapacitet dhe hapësirë e konsiderueshme lidhur me përshpejtimin e përkrahjes përmes financimit të tregut hipotekar, sidomos për banim por edhe atë komercial;
(ii) ka një sërë parakushtesh që tregojnë se financimi i tregut hipotekar ka një zvogëlim të kostos së financimit, me sa vijon:
• ulja e kostos së burimeve të mjeteve për banka;
• zvogëlimi i rrezikut kreditor përmes funksionalizimit të përmbaruesve privat;
• zvogëlimi i vazhdueshëm i kredive joperformuese;
• cilësia më e mirë e kredive të reja;
• gjendja stabile e sektorit bankar;
• pozita e qëndrueshme me likuiditet;

(iii) bankat, duhet të trajtojnë më shumë financimin e balancuar sektorial, përmes financimit afatgjatë respektivisht përshpejtimit të rritjes së financimit të bujqësisë si një sektor i rëndësishëm – duke përfshirë edhe grejs periudha më të gjata;
(iv) sektori i bujqësisë duhet të promovohet më shumë nga institucionet relevante, në këtë rast odat e ndryshme ekonomike përmes advokimit në funksion të institucionalizimit të tyre, përkrahjen në zhvillimin e planeve të arsyeshme të biznesit, si dhe në hartimin e pasqyrave adekuate financiare;
(v) ne si rregullator dhe mbikëqyrës të krijojmë infrastrukturën legjislative në funksion të përshpejtimit të përkrahjes së financimit të këtyre dy sektorëve.

Konferenca i zhvilloi punimet në kuadër të Panairit Financiar 2015 të organizuar nga Shoqata e Bankave të Kosovës.