Fjalimi i Guvernatorit të BQK-së, z. Bedri Hamza në Panairin Financiar 2015

Të nderuar pjesëmarrës,
Gjithmonë ndjej kënaqësi të veçantë të jem pjesë e këtij panairi financiar, i cili me sukses po organizohet për vite me radhë nga Shoqata e Bankave të Kosovës. Shtimi i vazhdueshëm i numrit të institucioneve fianciare që operojnë në Kosovë, së bashku me zgjerimin e gamës së produkteve financiare të ofruara në tregun vendor, ka bërë që panairi financiar çdo vit të na sjellë risi dhe në këtë mënyrë, të shërbejë si një pasqyrë mjaft e mirë e zhvillimit të vazhdueshëm të sistemit financiar të Kosovës. Përveç mundësisë që i ofron klientëve individualë dhe bizneseve që të njihen me ofertën e produkteve financiare në Kosovë, ky panair mund të shërbejë si një mundësi shumë e mirë edhe për nxitjen e një ndërlidhjeje më të madhe ndërmjet sektorëve të ndryshëm të sistemit financiar të Kosovës, gjë e cila mund t’i japë një shtytje më të madhe zhvillimit të mëtejmë të këtij sistemi.
***
Roli i sistemit financiar në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit ka shënuar përmirësim të mëtejmë në periudhën e fundit dhe atë kryesisht në saje të zhvillimeve në kuadër të aktivitetit të sektorit bankar. Kreditimi i sektorit bankar ka vijuar të ndjekë një trend dukshëm më të shpejtë të rritjes. Në gusht 2015, gjithsej kreditë aktive të sektorit bankar arritën vlerën prej rreth 2 milardë euro, duke shënar një normë vjetore të rritjes prej 7.4 përqind, krahasuar me rritjen prej 3.2 përqind të regjistruar në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Vetëm gjatë periudhës janar-gusht 2015, vlera e kredive të reja të lëshuara nga sektori bankar ishte 737.6 milionë, krahasuar me shumën prej 646.4 milionë euro që ishte lëshuar gjatë periudhës së njëtjtë të vitit të kaluar, ku vlen të theksohet se pjesa më e madhe e këtyre kredive të reja janë lëshuar për qëllime investuese të ndërmarrjeve. Rritja e kreditimit gjatë kësaj periudhe është rezultat i lehtësimit të standardeve të kreditimit dhe i kushteve më të favorshme të kredimit nga ana e bankave. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe bankat kanë raportuar të ketë pasur rritje të kërkesës për kredi nga klientët bankarë.
***
Rritja e kreditimit bankar vazhdon të financohet nga rritja e qëndrueshme e depozitave në sektorin bankar, të cilat në muajin gusht arritën vlerën prej rreth 2.6 miliardë euro dhe shënuan një rritje vjetore prej 5.7 përqind.
***
Zhvillime të favorshme gjatë kësaj periudhe janë vërejtur edhe në strukturën e kreditimit, ku vërehet një rritje e vëmendjes ndaj sektorëve më pak të kredituar të ekonomisë. Më konkretisht, shikuar sipas veprimtarisë ekonomike, normën më të lartë të rritjes gjatë periudhës së fundit e kanë shënuar kreditë për sektorin e bujqësisë dhe për sektorin e prodhimit, të cilat deri në muajin gusht shënuan rritje vjetore prej 18.1 përqind përkatësisht 16.7 përqind. Rritja e kreditimit për këta sektorë pa dyshim se paraqet zhvillim të rëndësishëm për ekonominë, duke pasur parasysh potencialin që kanë këta sektorë për të rritur prodhimin vendor dhe, në këtë mënyrë, të ndikojnë drejtpërsëdrejti në adresimin e dy sfidave kryesore të ekonomisë së Kosovës, që janë shkalla e lartë e papunësisë dhe deficiti i lartë tregtar. Financimi bankar për këta sektorë pritet të rritet edhe më tutje pas themelimit të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, i cili paraqet një zhvillim shumë të rëndësishëm si për bizneset përfituese të garancisë kreditore, ashtu edhe për bankat të cilat do të ballafaqohen me nivel më të ulët të humbjeve të mundshme që mund të rezultojnë nga rreziku kreditor.
***
Një ndër çështjet kryesore të raportuara në vazhdimësi nga bizneset si pengesë për zhvillimin e tyre ka qenë kostoja e lartë e financimit bankar. Mirëpo, pas rritjes së vazhdueshme të konkurrencës në tregun bankar si dhe rritjes së pjekurisë së këtij sektori, sot jam i kënaqur të deklaroj se ekonomia jonë ka shënuar përmirësim të këtij aspekti të ambientit afarist, duke pasur parasysh rënien e theksuar të normës së interesit në kredi gjatë vitit 2015. Në muajin gusht 2015, norma mesatare e interesit në kreditë bankare u zvogëlua në 7.9 përqind krahasuar me normën mesatare prej 10.7 përqind në gusht 2014 dhe normën prej 12 përqind në gusht 2013. Ky nivel i normës së interesit në kredi paraqet nivel të përafërt me koston e financimit bankar në vendet tjera të rajonit, mesatarja e së cilës është mbi 7 përqind. Në anën tjetër, norma mesatare e interesit në depozita në muajin gusht shënoi rritje, duke arritur në 1 përqind, krahasuar me normën prej 0.9 përqind në gusht 2014. Si rezultat i këtyre zhvillimeve, dallimi ndërmjet normës së interesit në kredi dhe asaj në depozita u ngushtua dukshëm, duke rënë në 6.9 pikë përqindje krahasuar me 9.9 pikë përqindje në gusht 2014.
***
Përkundër ngushtimit të dallimit ndërmjet normës së interesit në kredi dhe depozita, sektori bankar i Kosovës ka vazhduar të përmirësojë performancën financiare, duke shënuar profit neto në vlerë prej 59.7 milionë euro deri në muajin gusht, krahasuar me profitin neto prej 40.7 milionë euro të regjistruar gjatë periudhës së njëjtë të vitit të kaluar. Sidoqoftë, kjo rritje e profitit reflekton kryesisht zvogëlimin e shpenzimeve të sektorit bankar, përderisa performaca e të hyrave paraqitet negative me një rënie vjetore prej 2.5 përqind në gusht 2015. Prandaj, përkundër se profiti i sektorit bankar ka shënuar përmirësim të konsiderueshëm gjatë periudhës së fundit është e domosdoshme, që të përmirësohet performanca e të hyrave në mënyrë që të rritet qëndrueshmëria e profitabilitetit të këtij sektori.
***
Niveli i përgjithshëm i qëndrueshmërisë së sektorit bankar vazhdon të jetë i lartë, bazuar në të gjithë treguesit e shëndetit financiar. Pozicioni i likuiditetit vazhdon të jetë i fuqishëm, me indikator të likuiditetit prej 45.3 përqind që është dukshëm mbi nivelin e kërkuar nga Banka Qendrore. Ngjashëm, niveli i kapitalizimit ka shënuar rritje të mëtejme, duke arritur në 19.3 përqind, përderisa norma mininale e kërkuar nga Banka Qendrore është 12 përqind. Gjendja e kënaqshme e stabilitetit të sektorit bankar pasqyrohet edhe nga cilësia e mirë e portofolit kreditor. Niveli edhe ashtu i ulët i kredive joperformuese shënoi rënie të mëtejme, duke rënë në 7.5 përqind në gusht 2015 nga 8.3 përqind sa ishte në gusht 2014. Sidoqoftë, cilësia e portofolit kreditor kërkon monitorim të vazhdueshëm dhe të kujdesshëm, sidomos kur kemi parasysh përshpejtimin e rritjes së kreditimit gjatë periudhës së fundit. Gjendja e kënaqshme e qëndrueshmërisë së sektorit bankar paraqitet edhe nga rezultatet e stres-testit, ku sektori paraqitet i aftë për të përballuar tronditje të ndryshme negative të konsideruara në skenarët hipotetik.
***
Përveç kreditimit të sektorit bankar, ekonomia e vendit ka pasur një mbështetje të rritur financiare edhe nga sektori i institucioneve mikrofinanciare. Vlera e gjithsej kredive të lëshuara nga ky sektor arriti në 78.9 milionë euro në muajin gusht, duke shënuar një rritje vjetore prej 4.5 përqind. Megjithatë, norma mesatare e interesit në kreditë e lëshuara nga institucionet mikrofinanciare vazhdon të jetë mjaft më e lartë krahasuar me kreditë bankare, gjë e cila deri në një masë mund t’i atribuohet strukturës së financimit të këtyre institucioneve, që dominohet nga linjat e jashtme kreditore.
***
Një sektor tjetër mjaft i rëndësishëm i sistemit financiar të Kosovës vazhdon të jetë edhe ai i sigurimeve. Megjithatë, në raport me madhësinë e ekonomisë, sektori i sigurimeve në Kosovë vazhdon të jetë relativisht i nënzhvilluar krahasuar me sektorët e sigurimeve në shumicën e shteteve tjera të rajonit. Prandaj, nevojitet që përveç produkteve të obliguara të sigurimit, kompanitë e sigurimit që operojnë në vend të jenë më proaktive në zhvillimin e produkteve të sigurimit vullnetar, aspekt ky mjaft pak i zhvilluar i industrisë së sigurimeve në vend. Në të njëjtën kohë, nevojitet t’i kushtohet vëmendje më e madhe edukimit të publikut rreth produkteve të sigurimit që ofrohen në Kosovë. Zgjerimi i bazës së produkteve të sigurimit paraqet edhe një ndër mundësitë kryesore për përmirësimin e performancës financiare të këtij sektori, që vazhdon të mos jetë e kënaqshme.
***
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës po vazhdon të përkrahë zhvillimin e mëtejmë dhe rritjen e efikasitetit të sistemit financiar të vendit, duke punuar në zhvillimin dhe avancimin e infrastrukturës dhe rregullativës financiare që lejon zhvillimin e shëndoshë të sistemit financiar, si dhe duke nxitur rritjen e konkurrencës në sistemin financiar përmes licencimit të akterëve të rinj. Sidoqoftë, duke ditur sesi sektorët e tjerë të ekonomisë, ashtu edhe sektori financiar nuk mund të zhvillohet si i izoluar nga zhvillimet e tjera në ekonominë e vendit, kërkohet vazhdim i bashkëveprimit ndërinstitucional dhe ndërsektorial për të përmirësuar edhe më tutje aspektet e ndryshme që kanë ndikim në performancën e sistemit financiar.
***
Në përmbyllje të fjalës sime, Shoqatës së Bankave të Kosovës i uroj punë të mbarë me panairin dhe shpresoj që ky panair të vizitohet nga sa më shumë vizitorë dhe në këtë mënyrë të shpalosë sa më mirë ofertën e produkteve financiare në vend.