Guvernatori i Bankës Qendrore z. Bedri Hamza priti një delegacion të Odës Ekonomike të Kosovës

Në këtë takim, Guvernatori Hamza njohu përfaqësuesit e delegacionit Odës Ekonomike të Kosovës me zhvillimet aktuale në sektorin financiar në Kosovë, me përgjegjësitë dhe angazhimet aktuale të BQK-së, si dhe me sfidat me të cilat po ballafaqohet  Banka Qendrore e Republikës së Kosovës. Me këtë  rast Guvernatori Hamza, u njoftua nga z.Gërxhaliu dhe bashkëpunëtorët e tij për aktivitetet e shumta që po zhvillon OEK-u , po ashtu u njoftua edhe për  kontributin   që po jep Oda Ekonomike për mbrojtjen dhe promovimin e zhvillimeve të  bizneseve në Kosovë.

Guvernatori u ka premtuar bashkëbiseduesve bashkëpunim dhe se do të ofrojë ndihmën e tij dhe të institucionit  që drejton për të gjitha ato çështje, që janë në fushën  që konform kornizës ligjore, BQK-ja mund t’iu  ofrojë ndihmë. Ndër çështjet e prekura gjatë këtij takimi ishin fushat si në vijim : angazhimi i përbashkët me faktorët relevantë për të përshpejtuar  finalizimin e projektligjit të kamatëvonesave, ofrimin e mbështetjes - ndihmës për zgjidhjen e çështjeve përmes arbitrazhit, kryesisht  me theks të veçantë në rastet  e lëndëve që kanë të bëjnë me industrinë e sigurimeve, si dhe bashkëpunimin për të dinamizuar nxjerrjen e publikimeve në formë broshurash  dhe publikimeve të tjera, të cilat do të botohen përmes bashkërëndimit të punëve në mes të dy institucioneve tona përmes përpunimit të të dhënave dhe treguesve, që kryesisht do të bazohen në metoda dhe ekspertiza shkencore. Në fund Guvernatori  Hamza dhe z.Gërxhaliu shprehën  përkushtimin e tyre që të vendoset një bashkëpunim  më i ngushtë  në mes të dy  institucioneve.