Në Bankën Qendrore të Kosovës po qëndron për vizitë një delegacion i Institutit JVI të Austrisë

Zëvendësguvernatori z.Lulzim Ismajli i shoqëruar nga zëvendësguvernatori z. Fatmir Gashi pritën në një takim drejtorin e përgjithshëm të “Joint Vienna Institute” z. Norbert Funke i cili shoqërohej nga z.Aleksander Prostimkin zyrtar i programeve, përgjegjës për trajnimet e stafit të Bankës Qendrore të Kosovës që ndjekin trajnimet dhe ligjeratat në Vjenë të Austrisë. Qëllimi i kësaj vizite në BQK ka të bëjë me njohjen nga afër dhe me identifikimin e fushave përkatëse të bashkëpunimit në mes të BQK-së dhe të Joint Vienna Institute .
Zëvendësguvernatori Ismajli ka falënderuar zyrtarët e JVI-të për mbështetjen e vazhdueshme që kanë bërë për stafin e BQK-së, si dhe për mbështetjen që janë duke bërë në ofrimin e trajnimeve të cilat kanë luajtur dhe po luajnë rol në vazhdimësi në edukim dhe ngritje të kapaciteteve profesionale për stafin e BQK-së. Deri më tani mbi 120 zyrtarë të BQK-së kanë përfituar në forma të ndryshme të trajnimeve, në formë të seminareve, si dhe programeve më të gjata të edukimit profesional e që drejtpërdrejt kanë ndikuar në zhvillimin profesional të stafit. Të dyja palët u dakorduan që të vazhdojnë bashkëpunimin në mes të dy institucioneve, si dhe të identifikojnë fushat që mund të zgjerohet ky bashkëpunim.