Guvernatori Hamza ka pritur sot në takim Zyrtarin e Lartë të Deskut për Kosovën të Departamentit të Shtetit, z. Ilan Goodman

Me këtë rast, Guvernatori Hamza ka falënderuar z. Goodman për ndihmën e vazhdueshme që institucionet amerikane janë duke i dhënë Kosovë, në veçanti BQK-së, si dhe e ka njoftuar lidhur me zhvillimet e tanishme ekonomike dhe financiare në vendin tonë, duke vënë theksin e veçantë në performancen e sistemit bankar në Kosovë. Po ashtu, guvernatori Hamza shpalosi në këtë takim treguesit kryesorë të sektorit financiar të vitit 2014, si dhe performancën aktuale të këtij viti.
Në anën tjetër, z. Goodman njoftoi Guvernatorin për përkushtimin që Departamenti i Shtetit ka për t’i mbështetur institucionet e Kosovës, duke theksuar se kjo vizitë nënkupton thellimin e bashkëpunimit të mëtejmë, i cili do të vazhdojë në të ardhmen në forma të ndryshme.
Bashkëbiseduesit kanë vlerësuar performancën e mirë të sistemit financiar, duke potencuar përherë gatishmerinë e thellimit të mëtutjeshëm bashkëpunimit të BQK-së me institucionet si: Departamenti i Shtetit, Thesari Amerikan, Ambasada Amerikane në Prishtinë, USAID-i e kështu me radhë. Po ashtu, u arrit një konstatim i përbashkët që fokusi i angazhimeve të ardhme në fushën ekonomike e financiare duhet të jetë në forcimin e kapaciteteve prodhuese të vendit.
Në fund Guvernatori Hamza ka theksuar se mbështetja e pakursyer që administrata amerikane i ka dhënë institucioneve të Kosovës qoftë si mbështetje financiare, qoftë si asistencë teknike, ka luajtur rol vendimtar për ngritjen e kapaciteteve institucionale, në rastin konkret edhe të BQK-së.