Delegacioni i Republikës së Kosovës përfundoi pjesëmarrjen në takimet e rregullta vjetore të sesionit pranveror të FMN-së dhe BB-së në Uashington

Delegacioni i Republikës së Kosovës përfundoi pjesëmarrjen në takimet e rregullta vjetore të sesionit pranveror të FMN-së dhe BB-së në Uashington
Delegacioni i Republikës së Kosovës në përbërje të cilit ishin Ministri i Financave, z.Avdullah Hoti dhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, z. Bedri Hamza përfunduan takimet e rregullta vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, të cilat po zhvillohen në Uashington D C.
Përveç pjesëmarrjes në sesionin plenar të FMN-së dhe Bankës Botërore delegacioni i Kosovë ka zhvilluar takime edhe me zëvendësdrejtorin e FMN-së z. Min Zhu, zëvendëspresidenten e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore znj. Laura Tuck, drejtorin e Departamentit për Evropë në FMN z. Paul Thomsen, drejtoreshën për Evropën Juglindore, Evropë dhe Azi Qendrore në Bankën Botërore znj. Ellen Goldstein, z. Ibrahim Canakci drejtor ekzekutiv i konstituencës në FMN pjesë e të cilës është Republika e Kosovës, si dhe me z. Franc Godts drejtor ekzekutiv i konstituencës në Bankë Botërore pjesë e të cilës është Republika e Kosovës. Delegacioni i Republikës së Kosovës gjithashtu ka marrë pjesë në takimet e konstituencës në FMN dhe Bankë Botërore.
Përveç takimeve me zyrtarë të lartë të FMN-së dhe BB-së, Ministri Hoti dhe Guvernatori Hamza kanë zhvilluar takime me zyrtarë të Departamentit të Thesarit Amerikan dhe përfaqësues të Departamentit të Shtetit Amerikan, homologë të vendeve të ndryshme si dhe me përfaqësues të institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare.
Gjatë takimeve është diskutuar rreth zhvillimeve ekonomike dhe financiare në vend, adresimit të sfidave ndërlidhur me këtë fushë, asistencës teknike dhe çështjeve tjera të ngjashme. Gjithashtu, është vlerësuar progresi i arritur në Kosovë deri më tani, si dhe janë dhënë zotime nga të gjitha këto institucione për bashkëpunim dhe mbështetje të vazhdueshme për Republikën e Kosovës.