Përfundimi i programit të bashkëpunimit teknik me Bankën Qendrore Evropizne

Me një solemnitet rasti, është shënuar sot përfundimi i Programit të bashkëpunimit të Bankës Qendrore Evropiane (BQE) me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Bankën e Shqipërisë (BSH) dhe Bankën Popullore të Republikës së Maqedonisë (BPRM).  Krahas BQE-së, në këtë program, që u financua nga Komisioni Evropian, ishin përfshirë edhe banka qendrore kombëtare të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ).  Ceremonia e mbylljes së programit u mbajt në Prishtinë, ku nikoqir ishte BQK-ja, me pjesëmarrjen e Z. Gilles Noblet, zëvendësdrejtor i përgjithshëm për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe evropiane në BQE, Z. Libor Chlad, përfaqësues i Bashkimit Evropian, Z. Bedri Hamza, guvernator i BQK-së, Znj. Elisabeta Gjoni, zëvendësguvernatore e parë e BSH-së, dhe Z. Fadil Bajrami, zëvendësguvernator i BPRM-së.  
Gjatë programit u analizuan nevojat e tri bankave qendrore të rajonit tonë sa i përket përgatitjeve për t’u bërë pjesë të SEBQ-së, pasi që shtetet përkatëse të kualifikohen për t’u bërë pjesë e BE-së.  Përfundimi i programit përkoi me përfundimin e periudhës së analizës së nevojave të BQK-së, dhe gjatë ceremonisë së mbylljes u bë edhe dorëzimi formal i Raportit të analizës së nevojave për BQK-në, i cili përmban rekomandime për zhvillime të funksioneve të BQK-së për të arritur standardet dhe praktikat e bankave qendrore në BE.