Guvernatori u takua me z. Jacques Miniane, Shef i Misionit të FMN-së për Kosovë

Guvernatori Hamza ka pritur sot në takim një delegacion të Misionit të FMN-së të kryesuar nga z. Jacques Miniane, Shef i Misionit të FMN-së për Kosovë, që vepron në kuadër të Departamentit Evropian.
Me këtë rast, Guvernatori Hamza e ka njoftuar z. Miniane lidhur me zhvillimet aktuale ekonomike dhe financiare në vendin tonë, duke vënë theksin e veçantë në performancen e sistemit bankar në Kosovë. Guvernatori Hamza shpalosi para të pranishmëve treguesit kryesorë të sektorit financiar të vitit 2014, si dhe performancën aktuale të këtij viti.
Në anën tjetër, z. Miniane njoftoi Guvernatorin për qëllimin e vizitës, duke theksuar se kjo vizitë nënkupton Rishikimin sipas Artikullit IV të FMN-së, i cili bëhet me të gjitha vendet anëtare.
Bashkëbiseduesit kanë vlerësuar përformancën e mirë të sistemit financiar, duke potencuar përherë gatishmërinë e thellimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit në mes të BQK-së dhe FMN-së. Në takim përveç ekipit nga Uashingtoni, po ashtu mori pjesë edhe përfaqësuesi resident i FMN-së në Kosovë z.Frank Lakwijk.