Guvernatori Bedri Hamza priti në takim Ministrin e Financave Avdullah Hoti

Guvernatori  Hamza  ka pritur sot në takim Ministrin e Financave të  Qeverisë së Republikës së Kosovës z.Avdullah Hoti .Me këtë rast Guvernatori z.Hamza e ka njoftuar z.Hotin në lidhje me zhvillimet e fundit në sektorin financiar në Kosovë, duke nënvizuar qëndrueshmërinë dhe performancën  pozitive të sektorit bankar në përgjithësi. Të dhënat e prezantuara dhe treguesit e nxjerrë kanë të bëjnë me periudhën e vitit 2014 dhe janë të dhëna, që tregojnë shëndetshmërinë e sistemit financiar në vend.
 
 
Po ashtu , Guvernatori Hamza dhe ministri Hoti , përveç temave  rreth  zhvillimeve të fundit  ekonomike dhe financiare kanë diskutuar  edhe  për bashkëpunimin e BQK-së me Ministrinë e Financave  duke  premtuar, që mbështetja institucionale të vazhdojë edhe me tej në rrugëtimin e përbashkët  dhe në  zgjidhjen e  sfidave me të cilat përballen institucionet tona. 
Në të njejtën kohë Ministri Hoti e njoftoi Guvernatorin për hapat e ndërmarrë nga ana e Ministrisë së Financave në sferën fiskale, siç  është rasti i vendimit të Qeverisë së Kosovës  për shlyerjen (faljen) e borxheve të vjetra të bizneseve dhe familjeve kosovare, që kanë ndaj institucioneve të ndryshme publike deri në fundvitin e 2008-tës.
Guvernatori Hamza e  ka njoftuar Ministrin Hoti edhe me sfidat me të cilat po përballet BQK-ja , planet dhe projektet që janë në zhvillim e sipër në Bankë me theks të veçantë në segmentet përbrenda këtyre projekteve për forcimin e sektorit financiar dhe infrastrukturës ligjore . 
Në fund z.Hoti  ka vlerësuar rezultatet dhe progresin e arritur, si dhe performancën në fushën financiare, ku  përveç që ka çmuar bashkëpunimin e lartë të BQK-së me institucionet e vendit duke i  konfirmuar  Guvernatorit Hamza se Ministria e Financave  do të vazhdojë mbështetjen e saj për të gjitha fushat të cilat janë me interes për zhvillimin e BQK-së dhe për zhvillimin e sektorit financiar në përgjithësi. 
Ndërkaq në fund Guvernatori Hamza dhe Ministri Hoti  u zotuan se BQK-ja dhe Ministria e Financave,  do të  bashkëpunojnë ngushtë  me projekte në të ardhmen, qofshin ato të sferave  të sponsorizimit të ligjeve dhe rregullativës së  sektorit financiar apo bashkëpunimeve dhe  të  mbështetjeve në forma tjera të tjera.