FSI connect - një udhëzues i rëndësisë së veçantë lidhur me funksionin e mbikëqyrjes bankare në BQK

Në një ceremoni, Banka Qendrore në bashkëpunim me GIZ  kanë lansuar përdorimin e softuerit  FSI connect,  i cili do të bëjë të mundur pajisjen me licenca të  stafit të mbikëqyrjes  bankare në BQK. Për rëndësinë e projektit ,foli Guvernatori Hamza , i cili falënderoi GIZ, qeverinë gjermane dhe ambasadën gjermane që  në vazhdimësi kanë përkrahur Kosovën, që nga përfundimi i luftës. Me theks të veçantë  Guvernatori   shprehu falënderimin e tij ndaj donatorëve të  shtetit gjerman në përgjithësi dhe të GIZ-it gjerman në veçanti, organizatë kjo që bëri të mundur pajisjen me licenca të stafit të mbikëqyrjes së bankave në BQK të këtij softueri.
 
Ndërkaq në emër të ambasadës gjermane dhe donatorit të projektit, znj. Henriette Kötter, Sekretare e parë dhe kryesuese në ambasadën gjermane për zhvillim të bashkëpunimit, foli po ashtu për rëndësinë e këtij projekti  dhe u zotua se BQK-ja do të mbështetet edhe në të ardhmen në projektet e saj.
 
Softueri FSI connect i krijuar nga Instituti i Stabilitetit Financiar në kuadër të Bankës për Pagesa Ndërkombëtare (anglisht: Bank for International Settlement) përmban një program trajnimi duke përfshirë të gjitha aspektet kryesore të kornizës mbikëqyrëse bankare. Për më shumë, ky softuer përdoret nga një numër i madh i mbikëqyrësve bankar në mbarë botën (mbi 240 institucione dhe mbi 140 shtete) dhe është konsideruar si një nga programet më të mira të trajnimit për mbikëqyrësit në sektorin financiar. FSI connect përfshin udhëzuesin si dhe teknikat dhe praktikat kyçe lidhur me mjaftueshmërinë e kapitalit, solvencën, parimet e Bazelit, etj. 
 
Ky program në mënyrë të veçantë adreson edhe çështjen e rreziqeve bankare si rrezikun kreditor, të tregut operacional dhe menaxhimin e tyre. Ky program është i ndarë në tri nivele, deri tek ai shumë i avancuar ku adreson çështje komplekse dhe të ndjeshme në fushën e mbikëqyrjes bankare. Pasi që koha që po jetojmë është shumë dinamike, ky program plotësohet vazhdimisht në funksion të përfshirjes së moduleve, që adresojnë sfidat aktuale.  Për mënyrën e kyçjes dhe përdorimit të këtij softueri, ka  prezantuar para pjesëmarrësve ,   z.Amir Zylfiu  nga mbikëqyrja bankare.
 
Me këtë rast duhet përmendur përkrahjen e shtetit gjerman në përgjithësi dhe të GIZ-it gjerman në veçanti, që bëri të mundur pajisjen me licenca të stafit të mbikëqyrjes së bankave në BQK të këtij softueri,  kjo përkrahje është duke vazhduar me projekte tjera të përbashkëta ku merr pjesë edhe BQK-ja.