Guvernatori Hamza priti në BQK delegacionin e lartë të BERZH-it

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z.Bedri Hamza ka pritur një delegacion të lartë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të përbërë nga anëtarë të Bordit të Drejtorëve dhe zyrtarë të lartë ekzekutivë.  Guvernatori Hamza falënderoi përfaqësuesit e BERZh-it për realizimin e kësaj vizite të nivelit të lartë në Kosovë dhe i njoftoi ata me veprimtarinë e BQK-së si dhe me gjendjen dhe ecuritë aktuale në sistemin financiar dhe ekonominë e vendit.  Ai shprehu vlerësimin pozitiv për stabilitetin e sistemit financiar dhe qëndrueshmërinë e zhvillimit ekonomik në Kosovë si dhe adresoi një sërë çështjesh të lidhura të ngritura nga mysafirët.  

Në takim u vlerësua lart aktiviteti i BERZh-it në Kosovë, që ishte i destinuar në ofrim të financimit për bankat dhe përfituesit e tjerë në vend, duke mundësuar projekte të përshtatura si për nevojat e tyre ashtu edhe për rrethanat specifike të vendit tonë. Guvernatori Hamza shprehu konsiderata për të gjitha projektet e BERZh-it në Kosovë dhe, në veçanti, potencoi rëndësinë e projektit të nënshkruar vitin e kaluar për të siguruar një linjë kreditore në vlerë prej 10 milionë euro për Fondin e Sigurimit të Depozitave të Kosovës (FSDK), që pati një peshë të theksuar për zhvillimin e sektorit bankar të Kosovës.

Guvernatori Hamza theksoi se si anëtar iBERZh-it që nga fundi i vitit 2012, vendi ynë pret një shtim të aktivitetit të BERZh-it në Kosovë dhe se BQK-ja, si autoritet financiar dhe promotor i zhvillimit ekonomik në vend, është e gatshme të japë kontributin e saj dhe të bashkëpunojë me BERZh-in.  Mes tjerash, në takim u shpreh vlerësim i lartë për drejtimet strategjike të BERZh-it në lidhje me Kosovën, duke u pajtuar se mbështetja e privatizimit, zhvillimi i sektorit privat, përfshirja e sektorit privat në infrastrukturë, si dhe zhvillimi i sektorit të energjisë dhe minierave paraqesin aspekte kritike për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.