Guvernatori Hamza priti Drejtorin e ri të BERZH-IT për Ballkanin Perëndimor

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur sot në një takim z. Holger Muent, Drejtor i ri për Ballkanin Perëndimor i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Në takim, Guvernatori Hamza ka njoftuar mysafirin për zhvillimet aktuale në sektorin financiar në Kosovë, si dhe ka çmuar lart bashkëpunimin që BQK-ja ka me BERZH-in. Ai, gjithashtu ka shfrytëzuar rastin që në prani të Drejtorit të ri për Ballkanin Perëndimor të falënderojë stafin e zyrës së BERZH-it në Kosovë për mbështetjen e vazhdueshme, që kanë dhënë në zhvillimin e shumë projekteve në fusha të ndryshme. Në këtë kuadër, Guvernatori Hamza ka vlerësuar kontributin që BERZH-i është duke dhënë në sektorin financiar dhe ka inkurajuar zgjerimin e bashkëpunimit në këtë fushë. 

Nga ana e tij, z. Muent ka shprehur edhe njëherë përkushtimin për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit midis BERZH-it dhe BQK-së në të gjithë sektorët me interes të përbashkët. Ai ka premtuar se mbështetja e BERZH-it për institucionet e Kosovës dhe për bizneset private do të vazhdojë të rritet gjithnjë e më tepër. Bashkëbiseduesit janë pajtuar që ky bashkëpunim do të jetë në dobi të zhvillimit të mëtejmë ekonomik të Kosovë dhe në dobi të qytetarëve të saj.