Aktivitetet e delegacionit të Kosovës në takimet vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore

Delegacioni i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës i kryesuar nga Guvernatori z. Bedri Hamza po merr pjesë në takimet vjetore të  Fondit Monetar  Ndërkombëtar dhe Grupit të Bankës Botërore, që po zhvillohen në Uashington D.C. dhe ku po marrin pjesë delegacione nga 186 vende anëtare të FMN-së dhe BB-së.
Guvernatori Hamza në kuadër të takimeve vjetore të FMN-së dhe BB-së, ka takuar Zëvendësdrejtorin Menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar z. Min Zhu, Zëvendëspresidenten e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore znj. Laura Tuck, drejtorin e Departamentit të FMN-së për Evropë z. Pual Thomsen, misionin e FMN-së për Kosovë, si dhe Drejtorët Ekzekutivë të konstituencave në FMN-së  dhe BB-së , pjesë e të cilave është Republika e Kosovës (z. Johan Prader dhe z. Gino Alzetta). Në kuadër të kësaj vizite, Guvernatori Hamza është takuar dhe me zyrtarë të lartë të Departamentit të Thesarit Amerikan (z. Larry McDonald dhe z.Daleep Singh).

Po sot gjatë takimeve të zhvilluara është diskutuar lidhur me proceset e përgjithshme ekonomike në vend dhe në veçanti në sektorin financiar, si dhe për avancimin e bashkëpunimit të deritashëm. Në këto  takime është diskutuar edhe rreth implementimit të asistencës teknike për BQK-në dhe nevojës së vazhdimit të kësaj mbështetjeje sipas prioriteteve zhvillimore të BQK-së. Mbështetur në progresin e arritur, rritjen e kapaciteteve, si dhe shfrytëzimin efikas të asitencës teknike deri më tani, Guvernatori Hamza ka marrë zotimin e FMN-së, Bankës Botërore dhe Thesarit Amerikan për vazhdimin e mbështetjes së BQK-së edhe në të ardhmen. 

Guvernatori Hamza gjatë mbledhjeve vjetore të FMN-së dhe BB-së, do të nënshkruajë edhe marrëveshjen e re të Konstitutencës në Bankën Botërore pjesë e së cilës është Republika e Kosovës përderisa do të marrë  pjesë edhe në Mbledhjen e 30-të të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar. Delegacioni i BQK-së do të zhvillojë takime edhe me zyrtarë të lartë dhe homologë nga bankat qendrore të rajonit dhe botës.