Guvernatori Hamza priti një delegacion të zyrës për Kosovë të Komisionit Evropian

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z.Bedri Hamza priti në një takim z.Javier Menendez Bonilla, shef i njësisë për Kosovën , e cila është në kuadër të Komisionit Evropian. Në këtë takim, Guvernatori Hamza fillimisht ka falënderuar, z.Bonilla  për ndihmën e vazhdueshme të Komisionit Evropian  që i ka dhënë Kosovës dhe institucioneve të saja . Guvernatori Hamza duke folur  në rastin konkret për detyrat që e mandatojnë  BQK-në , e ka garantuar z.Bonilla se Banka si autoritet rregullator , licencues dhe mbikëqyrës do  të zbatojë dhe do t’i plotësojë suksesshëm të gjitha detyrat,  që dalin në rrugëtimin  drejt integrimeve  evropiane . Ndërsa në vazhdim  Guvernatori i bëri një rezyme  zhvillimeve  ekonomike e financiare në Kosovë, me theks të veçantë sektorit bankar , industrisë së sigurimeve  dhe foli po ashtu   për sfidat nëpër të cilat ka kaluar ky sistem . Po sipas Guvernatorit Hamza, bazuar në treguesit e  zhvillimeve aktuale, kemi të bëjmë me një sistem të qëndrueshëm të  shëndoshë dhe likuid ,pra kemi të bëjmë me  zhvillime pozitive në vazhdimësi në gjithë sektorët që e karakterizojnë dhe i mbulon konform mandatit të saj BQK-ja  dhe  gjithnjë duke ushtruar ,zbatuar dhe operuar aktivitetin e saj  në pajtim të plotë me ligjet dhe rregulloret pa përjashtim. Ndërsa z.Bonilla , falënderoi për pritjen si dhe për informimin  gjithëpërfshirës ,ka përgëzuar duke i dhënë mbështetje Guvernatorit dhe BQK-së për punën dhe të arriturat si institucion i rëndësishëm i shtetit të Kosovës . Po ashtu ka bërë me dije se ai do të vazhdojë ndihmën e pakursyer të zyrës për Kosovën në kuadër të Komisionit Evropian. Do të mbështesin integrimin e Kosovës , përfshirë këtu BQK-në në plotësimin e detyrave që dalin nga ky proces i rëndësishëm për vendin është shprehur ai.

Në fund të këtij takimi, Guvernatori ka shprehur falënderim të veçantë për  delegacionin e kryesuar nga z.Bonilla dhe ka premtuar përkushtimin e tij se bashkëpunimi me institucionin e Komisionit Evropian dhe të institucioneve tjera pa dallim do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe se BQK-ja në vazhdimësi do të plotësojë të gjitha detyrat që dalin nga rrugëtimi në rrugën drejt integrimit .