Guvernatori Hamza kryesoi takimin e programit të bashkëpunimit teknik me Bankën Qendrore Evropiane

Në kuadër të programit të bashkëpunimit teknik të Bankës Qendrore Evropiane (BQE) me bankat qendrore të regjionit të Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sot në selinë e BQE-së në Frankfurt është realizuar mbledhja e radhës e Komitetit drejtues të programit.Kjo mbledhje u kryesua nga z. Bedri Hamza, Guvernator i BQK-së dhe në të ishin pjesëmarrës edhe përfaqësues të bankave qendrore të regjionit, të BQE-së dhe të bankave qendrore kombëtare partnere të saj si dhe të Komisionit Evropian. Në takim u prezantua dhe u diskutua ecuria e deritanishme e programit, e cila u konsiderua e suksesshme nga të gjithë pjesëmarrësit.Po ashtu u prezantuan hollësitë e periudhës së ardhshme të programit, ku vlen të theksohet fillimi i periudhës gjashtë-mujore të implementimit në relacion me BQK-në në fillim të muajit të ardhshëm. Në lidhje me këtë Guvernatori i BQK-së theksoi se BQK-ja është plotësisht e gatshme për realizimin e aktiviteteve të parapara për këtë periudhë të programit dhe se, pos rekomandimeve dhe njohurive teknike, BQK-ja nga vazhdimi i programit pret edhe forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve me bankat qendrore të vendeve të Bashkimit Evropian dhe avancimin e bashkëpunimit të përgjithshëm.  

Programi i bashkëpunimit teknik të BQE-së me bankat qendrore të regjionit të Ballkanit Perëndimor ka nisur zyrtarisht më 17 prill 2014 dhe ka për qëllimin përgatitjen e bankave qendrore të vendeve të regjionit për inkuadrim në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ).Ai do t’i ofrojë BQK-së përcaktimin e ndryshimeve në kuadër të përgatitjes për t’iu bashkuar SEBQ-së deri në momentin kur Republika e Kosovës të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.Programi do ta forcojë kapacitetin institucional të BQK-së duke identifikuar kërkesat ligjore, organizative dhe të resurseve për të arritur përputhshmërinë me kornizën standarde institucionale dhe operacionale të SEBQ dhe BQE.  

Pos pjesëmarrjes në mbledhjen e Komitetit drejtues të programit të bashkëpunimit teknik të BQE-së me bankat qendrore të regjionit të Ballkanit Perëndimor, guvernatori i BQK-së gjatë vizitës në selinë e BQE-së u takua edhe me znj.Sabine Lautenschlaeger, anëtare e Bordit të BQE-së dhe z. Frank Moss, Drejtor Gjeneral për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Evropiane të BQE-së.