Presidentja Atifete Jahjaga priti guvernatorin e BQK-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, zotëri Bedri Hamza, i cili ia dorëzoi Presidentes Raportin Vjetor për vitin 2013.

Presidentja Jahjaga u njoftua nga guvernatori Hamza për ecurinë e zhvillimit ekonomik të vendit, të cilin e vlerësoi në parametrat pozitivë, për sistemin e qëndrueshëm financiar dhe fiskal të Kosovës, për sistemin stabil dhe të sigurt bankar në vend dhe për rritje të nivelit të eksportit në raport me importin e mallrave në periudhën e vitit 2013.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, zotëri Bedri Hamza, tha se Kosova ka shënuar përparime në zhvillimin ekonomik dhe se vlerësoi domosdoshmërinë e garantimit të klimës së mirë të afarizmit dhe rrjedhimisht edhe të sistemit bankar në vend.

Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e vendit janë përqendruar në çështjet e zhvillimit ekonomik të vendit, përmes krijimit të kushteve të favorshme për investime qoftë për afaristët lokalë ose atë ndërkombëtarë. Ajo tha se përmes zhvillimit ekonomik do të mundësohet hapja e vendeve të reja të punës për të rinjtë e Kosovës.

Presidentja Jahjaga e vlerësoi punën që po bën BQK dhe theksoi nevojën që ky institucion të vazhdojë angazhimin në mirëmbajtjen e stabilitetit financiar të Kosovës.