Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe Banka Qendrore e Malit të Zi nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës z. Bedri Hamza po merr pjesë në Samitin e Ministrave të Financave dhe Guvernatorëve të bankave qendrore të vendeve të regjionit, i cili po mbahet në Mal të Zi nga 12 deri më 14 qershor 2014.  Tema e këtij Samiti është “E Ardhmja Financiare e Regjionit”.  Në kuadër të Panelit të Guvernatorëve, Guvernatori Hamza ka mbajtur një fjalim lidhur me gjendjen dhe sfidat e sistemit financiar në Kosovë.
Gjatë këtij samiti Guvernatori Hamza ka pasur edhe një takim të veçantë me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Malit të Zi, z. Milojica Dakic, me të cilin ka nënshkruar një marrëveshje të bashkëpunimit.
Përmbajtja e Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Bankës Qendrore të Malit të Zi ka të bëjë me çështjet bilaterale lidhur shkëmbimin e informacionit, licencimin dhe mbikëqyrjen bankare, fuqizimin e luftës kundër shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit, menaxhimin në situata të krizave dhe aranzhime të tjera teknike.  Kjo është marrëveshja e parë e bashkëpunimit mes Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Bankës Qendrore të Malit të Zi.