Guvernatori Hamza në vizitë zyrtare në Bankën e Sllovenisë

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës z. Bedri Hamza, me ftesë të Guvernatorit të Bankës së Sllovenisë z. Bostjan Jazbec, po realizon vizitën zyrtare në Slloveni, përkatësisht në Bankën e Sllovenisë.
Me këtë rast Guvernatori Hamza është pritur nga homologu i tij z. Jazbec, të cilët kanë shkëmbyer informacione lidhur më zhvillimet në përgjithësi në sektorët financiar të të dyja vendeve.
Guvernatori Hamza, duke vlerësuar kontributin e deritashëm të Bankës së Sllovenisë, njëherësh ka shpalosur fushat me interes për bashkëpunim midis të dyja institucioneve, me fokus të veçantë në fushën e avancimit të kornizës ligjore të sektorit financiar dhe procesin e integrimit evropian.
Z. Jazbec është  shprehur që bashkëpunimi profesional me BQK-në ka qenë i shkëlqyer dhe efikas, duke rikonfirmuar gatishmërinë e institucionit që drejton, për mbështetje të mëtejmë dhe për bashkëpunim  të  ngushtë me BQK-në në adresimin e çështjeve të  cilat konsiderohen me interes përbashkët.