Themelimi i Grupit Kombëtar të Kosovës të Anëtarëve dhe Përdoruesve të SWIFT-it

 

Pas njohjes së Republikës së Kosovës nga ana e SWIFT-it, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe bankat komerciale të vendit sot themeluan Grupin Kombëtar të Kosovës të Anëtarëve dhe Përdoruesve të SWIFT-it, që do të njihet shkurt si Grupi SWIFT i Kosovës.  Të gjitha institucioneve anëtare ky grup kombëtar do t’ua sigurojë përfaqësimin e interesave karshi SWIFT-it, cilësinë e lartë të shërbimeve të SWIFT-it dhe qasjen në informacione relevante lidhur me SWIFT-in, si dhe do t’ua lehtësojë formimin e opinionit të përbashkët.

Ky grup kombëtar do ta ketë Komitetin si organin më të lartë dhe Kryesuesin si organ të ngarkuar me çështjet rutinore.  Komiteti do të përbëhet nga përfaqësuesit individualë të institucioneve anëtare, dhe nga mesi i tyre do të zgjidhet Kryesuesi.  

Grupi SWIFT i Kosovës do të ketë një rol më rëndësi të lartë sidomos gjatë muajve të ardhshëm kur Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, Banka për Biznes dhe Banka Ekonomike do ta funksionalizojnë lidhjen në SWIFT-it si institucione financiare të Republikës së Kosovës dhe kur bankat e tjera të vendit që tashmë janë të lidhura në SWIFT do të fillojnë të identifikohen në mënyrë adekuate si banka të Republikës së Kosovës.  Për më tepër, në periudhën afatshkurtër, pos bashkëpunimit me SWIFT-in, ky grup kombëtar po ashtu do të mbështesë proceset integruese evropiane të Republikës së Kosovës për sa i përket tregjeve dhe infrastrukturës financiare përmes komunikimit me grupet simotra dhe angazhimit me organizatat e tjera relevante.