BQK-ja fillon me procesimin e pagave të tetëdhjetëmijë shërbyesve të Administratës Publike përmes Sistemit Elektronik të Kliringut Ndërbankar

 
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka kënaqësinë të njoftojë, që sot përmes Skemës së Pagesave Masive të Sistemit Elektronik të Kliringut Ndërbankar është realizuar me sukses procesimi, bartja,  transferimi dhe shlyerja finale e transaksioneve të pagesave të pagave për  tetëdhjetëmijë  shërbyesve të Administratës Publike.  
Procesi  i transferit dhe përpunimit elektronik të të dhënave të pagesave të pagave përmes Sistemit Elektronik të Kliringut Ndërbankar, karakterizohet me një standardizim dhe automatizim të lartë të mënyrës së pagesës, si dhe me një proces të shpejtë, të lehtë dhe shumë të sigurt.  Rrjedhimisht kjo mënyrë e kryerjes së pagesave,  konsiderohet me dobi  për të gjithë akterët dhe komunitetin e pagesave në përgjithësi.  
Kjo mënyrë e procesimit, bartjes, shlyerjeve dhe e transmetimit të të dhënave në mënyrë elektronike deri tek banka pranuese, ka bërë të mundur eliminimin e mënyrave të deritanishme  joefikase të komunikimit dhe përpunimit të të dhënave mbi pagesën e pagave me CD, e-mail, lista -letër, etj. Mënyra e re e procedimit të pagave dhe përfitimeve tjera do ta lehtësojë konsiderueshëm mënyrën e pagesave të pagave për të gjitha institucionet e qeverisë dhe institucionet tjera që dëshirojnë  t’i bashkohen kësaj skeme në të ardhmen.  
Përveç  Ministrisë së Administratës Publike, pjesëmarrëse në këtë skemë tashmë është edhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), e cila pritet po ashtu që  të gjitha kategoritë e pagesave të skemave pensionale për muajin  qershor, t’i realizojë  përmes Sistemit Elektronik të Kliringut Ndërbankar të BQK-së.  
Zhvillimi dhe përsosja e vazhdueshme e Skemës së Pagesave Masive në Sistemin Elektronik të Kliringut Ndërbankar, paraqet  arritje me rëndësi në zhvillimin e sistemit të pagesave me vlerë të vogël dhe me  vëllim të madh në vendin tonë.  Kjo skemë është shfrytëzuar deri më tani nga të gjitha bankat komerciale në vend  dhe nga disa institucione e agjenci  qeveritare,  si  nga ana e ATK-së  (2004), nga ana e Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (2005),  nga ana e Thesarit/MF për të gjitha kategoritë e të hyrave për nivelin lokal dhe atë qendror (2007).
Duke besuar kështu për një bashkëpunim reciprok edhe në të ardhmen për realizimin e objektivave tona të përbashkëta,  të parapara  edhe në kuadër të Strategjisë së Zhvilimit të Sistemit Kombëtar të Pagesave në Kosovë,shfrytëzojmë nga rasti të falënderojmë  sinqerisht për bashkëpunim, besim dhe mbështetje në realizimin e projektit tonë të përbashkët: Departamentin e Thesarit/MF, Ministrinë e Administratës Publike dhe atë të Mirëqenies Sociale, të gjitha bankat komerciale që operojnë në Kosovë dhe Shoqatën e Bankave të Kosovës.