Fjala e Guvernatorit Bedri Hamza në konferencën Ndërkombëtare të Sigurimeve në Kosovë


I nderuar z. Abazi
I nderuar Zëvendeskryeministër Kuçi
I nderuar z. Vitovski, z. Elvers dhe zonja Flore
Të  nderuar përfaqësues  nga  industria e sigurimeve  dhe  ju  të  pranishëm

Industria e Sigurimeve në  Republikën e Kosovës, që  nga  fillimi e  deri më  sot  ka  kaluar një rrugë jo shumë  të  gjatë  në  kuptimin e kohës por  mjaft   të pasur  në  kuptimin e  zhvillimit  të  saj.
Zhvillimi i kësaj industrie ka ecur nëpër  një  proces të  përbashkët me  zhvillimin e  sektorit  financiar  në vend, duke u  nisur nga  niveli zero e deri në  ditët e sotme, kur  industria e sigurimeve e vendit përballet  me sfidat  thuajse të ngjashme me ato të vendeve të rajonit dhe me gjerë.
Si një  industri e  përballur  me ekzistimin  e kornizës ligjore të mangët, në  vitet e  para të  funksionimit të saj, tani industria e sigurimeve është në  një  fazë  mjaft  të  avancuar sa i përket kësaj çështje. Me një rol aktiv  të  BQK-së dhe  industrisë së sigurimeve është miratuar Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, pastaj BQK-ja ka nxjerr legjislacionin sekondar dhe është  në  fazën finale  të  draftimit  të  Ligjit për  Sigurimet e Përgjithshme, duke bërë  që shumë  shpejt ky segment i sektorit financiar të  vendit të kompletohet në  aspektin e legjislacionit.
BQK-ja  përveç] kontributit  në  aspektin e  rregullimit  dhe  mbikëqyrjes  së  kësaj industrie, njëherësh ka ndihmuar mjaft   industrinë në kuptim të  përmbushjes së  sfidave, të dala nga legjislacioni që u përmend më parë në veçanti në themelimin e Byrosë Kosovare të Sigurimit.
Para themelimit të  Byrosë, BQK-ja ishte bartëse kyçe e përpjekjeve për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Sistemin e Kartonit të Gjelbër, ku përveç tjerash  ka  zhvilluar edhe  takime  me  përfaqësues  të  Këshillit  të  Byrove, që janë edhe të pranishëm në  këtë  konferencë, të  cilët i falënderoj  për  bashkëpunimin dhe mbështetjen dhënë këtij procesi. Megjithatë, mbështetur  në  rëndësinë që  ka  për vendin çasja në  këtë sistem, aktualisht janë  duke  u bërë  përpjekje për gjetjen e modaliteteve adekuate për  të  siguruar çasjen e Republikës së Kosovës në këtë sistem dhe me këtë rast u bëj thirrje përfaqësuesve të Këshillit të  Byrove,  që  janë  sot këtu me  ne  që ta  mbështesin Byronë Kosovare të Sigurimit në këtë rrugëtim.
Dua të  theksoj që BQK-ja do të  vazhdojë me shumë  përkushtim ta mbështesë  Byronë Kosovare, në  këtë  proces dhe procese tjera të ngjashme me rëndësi  për sektorin financiar dhe ekonominë e vendit.
Duke ju dëshiruar punë të mbarë në këtë konferencë,  krejt në  fund më lejoni të  theksojë se është për t’u  vlerësuar lartë roli dhe  kontributi i industrisë së sigurimeve, në zhvillimin ekonomik  të  vendit  në  përgjithësi dhe  ju  garantoj,  që  BQK-ja përmes  mbikëqyrjes dhe rregullimit efektiv do  të  kontribuojë dhe do të përkrahë  zhvillimin e industrisë së  sigurimeve  në  vend për  të  tejkaluar sfidat: si anëtarësimi në  mekanizma relevant ndërkombëtar në  veçanti në  sistemin e Kartonit të Gjelbër, avancimin e  procesit të liberalizimit të  produktit të sigurimit ndaj palës së tretë, afirmimin e produkteve vullnetare  dhe sjelljen e produkteve të  reja të sigurimeve në tregun kosovar.

Ju  falemnderit