Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Bankës Nacionale të Republikës së Maqedonisë

Në vazhdën e zgjerimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, në veçanti me institucionet  simotra, Banka  Qendrore e Republikës  së  Kosovës e përfaqësuar  nga  Guvernatori  Gani Gërguri ka  nënshkruar  Marrëveshjen  e  Bashkëpunimit me  Bankën  Nacionale  të  Republikës së  Maqedonisë të  përfaqësuar  nga  Guvernatori Dimitar Bogov.

Duke vlerësuar lartë  nënshkrimin  e  kësaj  Marrëveshje, Guvernatorët  Gërguri  dhe  Bogov theksuan se kjo Marrëveshje reflekton bashkëpunimin e deritashëm shumë efikas si dhe trason rrugën për thellim të mëtejmë të këtij bashkëpunimi midis dy institucioneve.

Përndryshe, Marrëveshja e nënshkruar parasheh thellimin e bashkëpunimit në zhvillimin profesional të punonjësve të të dyja institucioneve me fokus të veçantë në fushën e analizave dhe modelimit makroekonomik, integrimit evropian, planifikimit strategjik, stabilitetit financiar, sistemit të pagesave dhe edukimin financiar.