Guvernatori Gërguri priti misionin faktmbledhës të BERZH-it në Kosovë


Guvernatori Gani Gërguri me bashkëpunëtorë ka pritur sot një delegacion të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) të kryesuar nga z. Jean-Marc Peterschmitt, Drejtor Menaxhues për Evropën Qendrore dhe Jug Lindore.
Me këtë rast, z. Peterschmitt njoftoi Guvernatorin Gërguri rreth aktiviteteve lidhur me hartimin e strategjisë tri vjeçare të BERZH-it për Kosovën si dhe rreth fushave ku BERZH-i synon ti shtrijë aktivitetin e vet në Kosovë. Ndër fushat më të rëndësishme ku BERZH pritet të angazhohet në Kosovë janë sektori financiar, energjetika dhe infrastruktura.
Nga ana tjetër, Guvernatori Gërguri falënderoi delegacionin e BERZH-it për vizitën dhe uroi për një bashkëpunim të frytshëm të Kosovës dhe këtij institucioni pas anëtarësimit të plotë të Republikës së Kosovës në këtë institucion pak kohë më parë. Ndër të tjera, Guvernatori Gërguri paraqiti një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike dhe në veçanti të sektorit financiar në Kosovë, duke nënvizuar nivelin e lartë të stabilitetit të sektorit financiar dhe të kontributit që ky sektor po jep për ekonominë e vendit. Guvernatori ftoi BERZH-in për një involvim më gjithëpërfshirës në ekonominë e Kosovës me theks të veçantë në ofrimin e mundësive për qasje më të madhe në finanaca për sektorët më pak të bankarizuar të ekonomisë së vendit tonë.