Fjalimi i Guvernatorit Gani Gërguri në ceremoninë e hapjes së Is Bankasi,

Fjalimi i Guvernatorit Gani Gërguri në ceremoninë e hapjes së Is Bankasi,
9 janar 2013, Emerald Hotel, Prishtinë


I nderuar Zëvendëskryeministër Pacolli,
E nderuar Ministre Kusari-Lila,
I nderuar Ministër Yagcilar,
E nderuara Ambasadore e Republikës së Turqisë në Republikën e Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare,
I nderuar Adnan Bali, Drejtor i Përgjithshëm i İş Bankasi
Përfaqësues të sektorit financiar dhe biznesit në përgjithësi
Zonja dhe zotërinj,
 
Kam kënaqësinë të përshëndes këtë audiencë të çmuar dhe në emër të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës të shpreh urimet më të sinqerta për hapjen e degës së İş Bankasi, e cila u liçencua nga ana e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.
Përfaqësues të İş Bankasi, me fat ditëlindja juaj në Kosovë! E, meqenëse u përmend ditëlindja, sot e pashë në kalendarin historik se pikërisht në këtë ditë para 165 viteve ishte themeluar edhe banka e parë komerciale në San Francisco, në Kaliforni.
Kam kënaqësinë që në fillim të nënvizoj bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që Banka Qendrore e Republikës së Kosovës e ka me institucionet relevante të Turqisë si Banka Qendrore e Republikës së Turqisë, Autoriteti i Rregullimit dhe Mbikëqyrjes Bankare i Turqisë (BRSA), Thesari Turk. BRSA-ja ka asistuar në trajnimin e një numri të madh të punonjësve të BQK-së në fushën e mbikëqyrjes financiare, ndërsa Guvernatori Basçi ka qenë ndër kontribuesit me rëndësi në suksesin e Konferencës ndërkombëtare organizuar nga BQK vitin e kaluar. Njëkohësisht, ne jemi me Turqinë edhe në të njëjtën Konstituencë brenda Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Padyshim, themelimi i degës së İş Bankasi do të ngritë edhe më shumë bashkëpunimin midis dy bankave qendrore/përkatësisht rregullatorëve dhe mbikëqyrësve bankar si dhe marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare midis dy vendeve tona.
Marrëdhëniet ekonomike, financiare e tregtare midis Kosovës dhe Turqisë janë zhvilluar viteve të fundit në mënyrë rapide. Importet nga Turqia sot marrin pjesë rreth 8 përqind në gjithsej importet e Kosovës, ndërsa eksportet e Kosovës, janë trefishuar me Turqinë që nga pavarësia e vendit tonë. Edhe në fushën e Investimeve Direkte, Turqia ka rritur investimet e saja prej viti në vit duke mbërri në rreth 5.7 përqind të portfolios së investimeve të huaja direkte në Kosovë në fund të shtatorit të vitit të kaluar.
Themelimi i degës së İş Bankasi është një kurorëzim konkret i angazhimeve të BQK-së në promovimin e sektorit financiar të vendit tonë. Është njohje direkte e progresit të vendit tonë në rrafshin e stabilitetit makroekonomik. Marrë parasysh dimensionin e krizës globale e sidomos atë nëpër të cilën po kalon eurozona, ekonomia e Kosovës del të jetë pistë joshëse për investitorë të jashtëm të cilët këtu gjejnë një stabilitet monetar, financiar dhe fiskal që pak vende janë duke e reflektuar sot. Në veçanti, këtu gjejnë një sistem bankar që vazhdon të rritet me një shëndet të qendrueshëm. Kështu, në fund të nëntorit të vitit të kaluar, gjithsej mjetet e sistemit bankar të Kosovës mbërritën në 2.628 milionë euro, ndërsa adekuatshmëria e kapitalit për tërë sistemin qendroi në nivelin prej 17.9 përqind. Krahas normës së lartë të adekuatshmërisë, vlen nënvizuar se në strukturën e gjithsej kapitalit, kapitali i klasit të parë përbën 84 % të gjithsej kapitalit, çka dëshmon edhe për cilësi të kënaqshme të tij. Gjithsej depozitat mbërritën në 2.252 milionë euro – vetëm brenda një muaji (nëntor) depozitat u rritën pë 60 milionë euro. Gjithsej kreditë kapin shumën prej 1.726 milionë euro, ndërsa kreditë joperformuese paraqesin 7.3 përqind të krejt portfolios së kredisë.  
Unë besoj se İş Bankasi do të shërbejë si një urë e fuqishme e rritjes së bashkëpunimit bilateral ekonomik dhe financiar. Dhe jo vetëm kaq, neve na gëzon fakti se kjo bankë e rëndësishme turke e sheh vendin tonë edhe si seli të shtrirjes së  aktivitetit të saj në të ardhmen në vendet për rreth nesh duke lehtësuar kështu edhe më shumë bashkëpunimin ekonomik, financiar e tregtar për tërë rajonin.
Në veçanti, ne i gëzohemi ardhjes së këtij akteri të ri në tregun bankar kosovar sepse presim që kjo të pasurojë edhe më tej menynë e produkteve dhe shërbimeve bankare në Kosovë, përfshirë kontributin në rritjen e konkurencës së shëndoshë dhe atë në uljen e mëtejme të normave të kamatës. Unë ju bëj thirrje të gjitha bankave që të rrisin përpjekjet në këtë drejtim dhe njëkohësisht ju siguroj se BQK mbetet e përkushtuar në inkurajimin edhe të hyrjeve tjera të reja që ofrojnë kapacitet për të pasuruar menynë tonë bankare si në kuptim të bankarizimit të sektorëve më pak të bankarizuar ashtu edhe në kuptim të uljes së kostos së ndërmjetësimit. Kjo padyshim se do të reflektojë në ngritjen e qasjes në financa dhe rritjen e klientelës bankare dhe me këtë edhe maksimizimin e profitit për të dyja palët si për bankat ashtu edhe për klientët e tyre. Kapitali i huaj bankar përveç që ka vendosur bazat e bankingut në Kosovë, ka sjellur edhe praktikat më bashkëkohore bankare. Në këtë kontekst, uroj që edhe përvoja dhe tradita e çmuar e İş Bankasi të sjell benefite shumë dimensionale për tërë sistemin bankar dhe ekonominë e vendit në përgjithësi. 
Unë e përmenda Kaliforninë në fillim të kësaj fjale kështu që më lejoni edhe të përfundojë me të. Ne fakt, himni i Kalifornisë titullohet “I love you California” dhe fillon me shprehjen e dashurisë ndaj Kalifornisë pavarësisht se a është stina e pranverës, verës, vjeshtës apo dimërit. Për ata që kanë dëgjuar për krahasimin e popularizuar midis ombrellës dhe bankierëve është lehtë të parakuptojnë se dua të shfrytëzojë këtë rast të përfundoj duke uruar në veçanti İş Bankasi për këtë ndërmarrje të rëndësishme si dhe në përgjithësi duke uruar që ombrella bankare të jetë prezente për bizneset tona gjatë “katër stinëve” si dhe të zgjerohet përherë në funksion të lehtësimit të zhvillimin të biznesit dhe ekonomisë së vendit tonë në përgjithësi.
Ju falemnderit.