Rritet oferta financiare për ekonominë e Kosovës


Guvernatori Gani Gërguri me bashkëpunëtorë ka pritur sot një delegacion të Bankës Investive Evropiane (BIE) të kryesuar nga Matteo Rivellini, përgjegjës për investime të BIE-së në vendet e Ballkanit Perëndimor përfshirë edhe Kosovën.
Me këtë rast, Matteo Rivellini ka njoftuar Guvernatorin Gërguri lidhur me planin e Bankës Investive Evropiane për nënshkrimin e Kontratës Kornizë me Qeverinë e Republikës së Kosovës që pritet të ndodhë në çerekun e parë të vitit 2013 si dhe me ofertën financiare që BIE-ja mund të jep për ekonominë e Kosovës në një të ardhme të afërt.
Duke falënderuar delegacionin për interesimin e tyre për sektorin financiar, Guvernatori Gërguri ka nënvizuar performancën e shëndoshë dhe stabile të sektorit financiar të Kosovës dhe në veçanti ka mirëpritur gatishmërinë e Bankës Investive Evropiane për investime me kosto dhe me maturitet të volitshëm të financimit sidomos për sektorin e ndërmarrjeve të vogëla dhe të mesme. Gjithashtu, Guvernatori Gërguri ka mirëpritur gatishmërinë e BIE-së për përfshirjen e mundshme të ndërmarrjeve të vogëla dhe të mesme të Kosovës në programi e BIE-së mbi zhvillimin dhe inovacionin e ndërmarrjeve në Ballkanin Perëndimor, program ky i cili nën koordinimin e BIE-së implementohet në bashkëpunim të ngushtë midis qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Komisionit Evropian dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.