Regjistri i Kredive të Kosovës – shtyllë kyçe e sektorit financiar

Prishtinë, 06 dhjetor 2012: BQK në bashkëpunim me USAID-në kanë organizuar një Konferencë të përbashkët për të promovuar rezultatet e projektit për Avancimin e Regjistrit të Kredive të Kosovës.
Në fjalën e tij të rastit, Guvernatori Gani Gërguri  ka nënvizuar se “ky version i avancuar Regjistrit të Kredive të Kosovës i realizuar bashkarisht me USAID-në do të përsos më tej këtë shtyllë kyçe të sektorit financiar të Republikës së Kosovës – shtyllë kjo e cila ka mundësuar sigurimin e profilit aktual mirë të kapitalizuar, likuid e profitabil të sistemit bankar si dhe ka kontribuar të ecim në hap me vendet e zhvilluara duke renditur Kosovën sa i përket Treguesit të marrjes së kredisë në vendin e 23 në kuadër të Programit të Bankës Botërore mbi ‘Të bërit biznes’”. Mëtutje, Guvernatori Gërguri ka ritheksuar “se sektori financiar i Kosovës po zhvillohet qendrueshëm dhe se BQK po e demonstron ruajtjen e objektivit të saj primar që është ruajtja e stabilitetit financiar në vend, duke u përkujdesur që institucionet financiare të ushtrojnë afarizëm të shëndoshë, si dhe duke krijuar infrastrukturën e nevojshme për operim të sigurtë dhe efikas”, duke konkluduar se “kjo paraqet mënyrën më të mirë për të siguruar një sektor financiar që i shërben në formën më të mirë ekonomisë së vendit”.

Në fjalimin e tij, zëvendësdrejtori i USAID-së për Kosovë, Chris Edwards, midis tjerash ka nënvizuar se lansimi i këtij projekti “shënon një hap të theksuar përpara në hapjen e mundësive për financim të përgjegjshëm për më shumë qytetarë të Kosovës dhe udhëheqës biznesi” për të shtuar se Qeveria e SHBA-ve përmes USAID-it ka themeluar Programin e Përmirësimit të Ambientit për Biznes “për t’i ndihmuar Kosovës të vazhdojë së kultivuari të një ambienti më miqësor për biznesin duke përmirësuar qasjen në financa”.
 
Përndryshe, sipas znj.Shaha Zylfiu, udhëheqëse e Regjistrit të Kredive, ky avansim i Regjistrit të Kredive të Kosovës, është realizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës me një përkrahje të fuqishme nga projekti BEEP/USAID dhe me një bashkëpunim të pandërprerë dhe konstruktiv me industrinë kredidhënëse e cila operon në Republikën e Kosovës. Projekti ka filluar në shtator të vitit 2010, dhe që nga fillimi, në kuadër të këtij projekti, janë angazhuar ekspertë të fushës së raportimeve kreditore me renome botërore të cilët në bashkëpunim me stafin vendor dhe në harmoni me trendet zhvillimore të kësaj fushe, identifikuan nevojën dhe pikat kyçe për avansim. Vlen të theksohet gjithashtu se avansimi i bërë është i bazuar në parimet e pergjithshme mbi raportimet kreditore, sipas rekomandimeve të publikuara nga Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC). Këto parime kanë të bëjnë me të dhënat, procesimin e tyre, sigurinë dhe efiçiencën e informacionit, menaxhimin e rrezikut, çështjet ligjore dhe rregullative dhe këmbimin e informacioneve në nivele ndërshtetërore. Regjistri i kredive, si sistem përkrahës në vendimarrje për industrinë kredidhënëse, por edhe sistem për monitorimin e kësaj industrie nga ana e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës , me implementimin e avansimit aktual është fuqizuar edhe më shumë duke ofruar një spektër të gjërë të veglave informative, monitoruese, statistikore dhe analitike.

Me këtë rast, në emër të kontributit dhënë BQK-së në realizimin e këtij projekti, Guvernatori Gërguri i ka dorëzuar përfaqësuesit të USAID-së një mirënjohje të posaçme, ndërsa janë shpërndarë edhe certifikata për personelin e trajnuar për përdorim të sistemit të regjistrit të kredive.