Mbrojtja e Konsumatorëve dhe Edukimi Financiar - projekt i rëndësisë së veçantë për Bankën Qendrore

Prishtinë 19 nëntor 2012
Guvernatori Gani Gërguri ka pritur një mision të ekspertëve të Bankës Botërore të cilët deri më datën 30 nëntor 2012 do të qendrojnë në vendin tonë për të realizuar projektin e Vlerësimit Diagnostik të Mbrojtjes së Konsumatorëve dhe të Edukimit Financiar. Fillimisht, ky projekt do të fokusohet në sistemin bankar, industrinë e sigurimeve dhe institucionet mikrofinanciare, ndërsa më vonë do të përfshijë edhe regjistrin e kredive dhe sistemin e pensioneve. Ky vlerësim diagnostik do të përfshijë fushat vijuese: 1) ligjet, rregulloret dhe praktikat, 2) transparencën dhe shpalosjen e informacionit, 3) praktikat e biznesit të institucioneve financiare 3) mekanizmat e ankesave dhe të zgjidhjes së kontesteve, 4) vetëdijësimin dhe edukimin e konsumatorëve.
Me këtë rast, duke nënvizuar mbrojtjen e konsumatorëve si element thelbësor për ndërtimin dhe ruajtjen e një sektori financiar efiçient, konkurrues dhe të drejtë, Guvernatori Gani Gërguri theksoi se Kosova është shteti i dymbëdhjetë që deri sot po përfiton nga asistenca teknike e Bankës Botërore në këtë fushë dhe ky vlerësim do të ndihmojë në avancimin edhe më të madh të të drejtave të konsumatorëve të sektorit financiar për të disponuar me informacion të qartë, të plotë, të saktë dhe gjithëpërfshirës në të gjitha rolet e tyre si shfrytëzues të shërbimeve financiare, përfshirë këtu edhe zgjerimin e edukimit financiar në bashkëpunim me institucionet përkatëse vendore dhe ndërkombëtare.