Pavarësia e rregullatorëve të sektorit financiar

Fjalimi i Guvernatorit Gërguri në Konferencën Ndërkombëtare të AMF në Shqipëri: "Ritheksimi i Pavarësisë së Autoritetit Rregullator të Sektorit Financiar", 31 tetor 2012, Hotel Sheraton, Tiranë

E nderuara Znj. Bakke
E nderuar Znj. Shehu,
Zonja dhe Zotërinj,

Kam kënaqësinë që jam ftuar të flas në këtë konferencë të rëndësishme të agjencive të ndryshme financiare rregullatore dhe mbikëqyrëse nga rajoni ynë. Dhe, kjo është hera e dytë që gjendem këtu brenda një jave. Në të vërtetë, unë kam qenë këtu javën e kaluar në konferencën e organizuar nga Banka e Shqipërisë dhe jam shumë i nderuar për këtë mundësi unike për t’a përjetuar dhe për të qenë pjesë e festimit të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
 
Unë po e shoh se jam i veçuar në këtë konferencë jo vetëm si guvernatori i vetëm në këtë dhomë, por edhe sa i përket temës së kësaj konference. Më lejoni të jem i drejtpërdrejtë, unë vij  nga një institucion i pavarur - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), e cila përveҫ funksioneve tradicionale qendrore bankare është gjithashtu përgjegjëse për rregullimin, licencimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha institucioneve financiare në Kosovë. Rrjedhimisht, pavarësia që ju po e ritheksoni sot si agjenci rregullatore dhe mbikëqyrëse financiare, në rastin e Kosovës i është dhënë rregullatorëve dhe mbikëqyrësve të sektorit bankar, sigurimeve, pensioneve, letrave me vlerë, si dhe të institucioneve të tjera financiare jo-bankare përmes një autoriteti të vetëm -  BQK-së. Ky aranzhim "të gjitha në një" i përshtatet  profilit të vendit dhe deri më tani ka paraqitur një përparësi, veçanërisht duke pasur parasysh se pas krizës së fundit financiare globale, ҫdokush bën thirrje jo vetëm për më shumë rregullimi dhe mbikëqyrje por edhe për më shumë koordinim. Megjithatë, ne nuk duhet të harrojmë se duke pasur të gjithë rregullatorët brenda një ombrelle, gjithmonë bart një dozë rreziku reputacional të cilit mund t’i ekspozohet institucioni.
 
Siҫ theksoi folësi paraprak nga Serbia, pavarësia nuk është një qëllim në vetvete. Institucionet tona, në rend të parë ekzistojnë për mbrojtjen e depozituesve, të të siguruarëve, kontribuesve pensional, etj. Prandaj,  ne duhet gjithashtu të kujdesemi për mënyrën e realizimit të agjendës së detyrave tona. Duke pasur parasysh se unë vij nga një institucion i cili në strukturën e tij përmban   edhe operacionet qendrore bankare edhe rregullimin dhe mbikëqyrjen financiare, do të filloj diskutimin tim nga pikëpamja  e pavarësisë së bankës qendrore. Argumentet e përgjithshme për një bankë qendrore të pavarur janë  të njohura për të gjithë ne dhe unë besoj se nuk ka nevojë për t’i elaboruar tani, sidomos pas përshkrimit të plotë rë Znj.Bakke të definicionit të pavarësisë. 

Megjithatë, në ditët e sotme, në varësi të marrëveshjeve monetare dhe institucionale në vend, argumentet për thirrje për pavarësinë e bankës qendrore mund të kenë ndryshuar në një farë mase. Bankat qendrore me instrumente më të kufizuara të politikës monetare (rastet e euroizimit unilateral, bordi i valutës, inflacioni i shënjestruar, kursi fiks i këmbimit), janë në një farë shkalle më pak të ekspozuara ndaj presionit politik. Në të vërtetë, përvoja e krizës së fundit financiare globale tregon të kundërtën nga ajo që na është mësuar në lidhje me pavarësinë e bankës qendrore. Tash kemi parë guvernatorët duke kërkuar para nga minsitrat. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se rëndësia e pavarësisë së bankës qendrore është reduktuar. Në vend të kësaj, ajo ka marrë një karakter më ndryshe. Sot, nevoja për të pasur një bankë qendrore të pavarur është e lidhur kryesisht me funksionin e saj si licensuese, rregullatore dhe mbikëqyrëse e sektorit financiar. Licencimi, rregullimi dhe mbikëqyrja e institucioneve financiare janë po aq të rëndësishme që  të jenë të pavarura siç është udheheqja e një politike monetare të pavarur.    

Në këtë kontekst, unë do doja të theksoj diçka që nuk është përmendur deri tani nga parafolësit.   Së pari, po fillojë me çështjen kyçe që është procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të organeve vendim-marrëse në institucionet tona. Kur ka të bëj me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, edhe pse një institucion i ri, procesi i përzgjedhjes për të gjithë anëtarët jo-ekzekutivë, si dhe anëtarët ekzekutiv të bordit, shkon përmes një procesi konkurrues. Thjesht, ne jemi ndër vendet e rralla në rajon dhe përtej ku Guvernatori zgjedhet edhe përmes konkursit publik. Së dyti, pavarësia financiare është condition sine qua non për pavarësinë e vërtetë të agjencive rregullatore dhe mbikëqyrëse.
Unë jam i kënaqur të shoh se në shumicën e rasteve tuaja, subjektet që i mbikëqyrni  e sigurojnë këtë themel të rëndësishëm për pavarësinë tuaj. Së treti,  është përmendur këtë mëngjes se pas krizës financiare globale kërkohet rregullim dhe mbikëqyrje më  e madhe. Ne të gjithë pajtohemi me këtë, por unë do të doja të shtoja se kërkohet  koordinim më i madh dhe më i mirë në mes të rregullatorëve dhe agjencive të tjera të pavarura. Ajo që po ndodh në ekonominë globale është gjithnjë e më shumë duke na e bërë me dije se vetëm një koordinim adekuat ndërinstitucional mund të parandaloj dhe / ose zgjidh  krizën me sukses më të madh.   Në këtë kontekst, të kuptuarit dhe demonstrim i pavarësisë nuk duhet të rezultojë në një lloj të të menduarit brenda kutisë, sepse kjo mund të jetë një pengesë serioze për koordinimin ndërinstitucional.  Së katërti, ne duhet përmirësuar performancën tonë duke demonstruar me prudencë përfitimet e mirënjohura që rrjedhin nga të qenit një agjenci e pavarur (ekspertiza, fleksibiliteti, besueshmëria, angazhimi, stabiliteti, efikasiteti, etj.) Vlerësimi i performancës tonë është i lidhur me mënyrën dhe cilësinë që  i japim agjendës sonë të mandatuar.   Ne vazhdimisht duhet të pyesim veten se sa i kuptojmë entitetet e rregulluara, se sa shpejt ne i përshtatemi  ndryshimeve, dhe sa kontribuojmë në stabilitetin dhe parashikueshmërinë e mjedisit ku subjektet tona veprojnë.  Sinqeriteti dhe transparenca jonë, vëmendja jonë rreth interesave te konsumatorëve dhe racionalizimi i kostos së operacioneve tona janë shtylla të rëndësishme në ruajtjen e pavarësisë tonë.  Pavarësia nuk është një e drejtë e dhënë, ajo duhet të jetë e justifikuar dhe të demonstrohet vazhdimisht.  Pavarësia jonë duhet të jetë e dobishme për shëndetin e entiteteve të rregulluara. Nëse ne dështojmë për të ofruar përfitimet e lartpërmendura, shumë lehtë mund të shihemi si " dega e katërt e pazgjedhur e qeverisë" (Majone, 1993). Në të njëjtën kohë, në qoftë se ne do të shkojmë shumë larg në promovimin e interesave të entiteteve të rregulluara në kurriz të konsumatorëve, shumë lehtë mund të shihemi si "të kapluar nga rregullativa" (Stigler, 1971). Në të dyja rastet, formalisht ose joformalisht,  rrezikojmë  ndërhyrjet nga kontrollet politike në procesin tonë të vendimmarrjes. Prandaj, ne duhet të jemi jo vetëm të pavarur, por edhe institucione mjaft kompetente.           
Në fund, pasi nuk ka mbetur edhe shumë kohë, më lejoni të theksoj edhe një çështje që nuk është  përmendur në diskutimet e sotme. Ajo është rregullimi kundrejt mbikëqyrjes. Ne shohim tendenca për  ndarje në mes të këtyre dyjave. Për mua pak e pazakontë, në kohën kur bëjmë thirrje për më shumë koordinim dhe bashkëpunim, më shumë informacion dhe komunikim në kohë reale. Në vendet e vogla si i yni,  besoj se është më mirë që jenë të dyjat në një vend, sepse ne kemi parë se komunikimi është vendimtar për parandalimin e destabilizimit dhe për një reagim më të shpejtë në rastet emergjente.  
Së fundi, ne duhet të jemi të sinqertë dhe të pranojmë se pavarësia e agjencive rregullatore dhe mbikëqyrëse të sektorit financiar varet jo vetëm nga mënyra  se si e demonstrojnë pavarësinë e tyre, por shumë më shumë  nga cilësia e mjedisit të përgjithshëm institucional në vendin përkatës.
Ju faleminderit!