BQK zhvilloi konferencën ndërkombëtare mbi konkurrencën dhe rrezikun bankar

Prishtinë, 05 tetor 2012
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ishte nikoqire e konferencës ndërkombetare të titulluar “Konkurrenca kundruall marrjes së rrezikut në sektorët bankar të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore”, e cila i zhvilloi punimet sot në Prishtinë. Kjo konferencë mblodhi  shumë ekspertë të fushës financiare, guvernatorë, ministra, bankierë si dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës. Përveç Guvernatorit Gërguri, në konferencë me eskpozetë e tyre kontribuuan edhe Guvernatorët nga Bankat Qendrore të Turqisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Shqiperisë si dhe panelistë nga Thesari amerikan dhe Bankat Qendrore të shteteve si Austria, Turqia, Polonia, Kroacia, Bullgaria, Shqipëria, Maqedonia si dhe nga Banka Qendrore Evropiane.
Kjo konferencë kishte për qëllim  promovimin e  sektorit financiar të vendit dhe nxitjen e debatit  për sfidat dhe zhvillimet në sektorët bankar të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, me fokus të veçantë në marrëdhënien ndërmjet konkurrencës dhe nivelit të rrezikut.  Konferenca është hapur me një fjalë rasti  nga Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës z. Gani Gërguri, i cili  duke i’u drejtuar pjesëmarrësve është shprehur se  për të pasur një sistem bankar efikas nevojitet të ketë një ekonomi të shëndoshë dhe të qëndrueshme dhe efikase. E sipas tij, Kosova ka sistemin bankar mjaft profitabil, mirë të kapitalizuar dhe likuid. Ai më këtë rast ka potencuar se Kosova sa po ka përfunduar programin e vlerësimit të sektorit financiar nga ana e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, duke nënvizuar se vlerësimet, rezultatet dhe konkludimet e përgjithshme janë pozitive nga ky program, dhe aq më tepër kur kemi parasysh moshën e sektorit financiar dhe kur kemi parasysh që ky sektor ka filluar të zhvillohet nga zeroja.
Më pas,  fjalën e mori  Ministri i Financave  z.Bedri Hamza , i cili potencoi  se Kosova vazhdon të ketë një sistem bankar i cili vazhdon të mbeshtesë  ekonominë e vendit duke qenë një shtytës serioz i rritjes ekonomike. Gjithnjë sipas tij, bankat edhe përkundër krizës në eurozonë kanë vazhduar kreditimin qoftë të ekonomive familjare apo të bizneseve. Ministri poashtu është shprehur se BQK-ja është një institucion i pavarur dhe se Qeveria e Kosovës në vazhdimësi e mbeshtetë ketë pavarësi. Këtë sipas tij e ka dëshmuar edhe në përkrahjen e projekteve të ndryshme qoftë në fushën e legjislacionit por edhe të mbeshtetjeve në fusha tjera siç është rasti i ndihmës për ndërtimin e agjencionit për sigurimin e depozitave. Institucionet e vendit do të përkrahin edhe në të ardhmën BQK-në në zhvillimin e saj.
Konferenca ka zhvilluar punimet në tri sesione. Në sesionin e parë u shtjellua tema “Sfidat e sektorit bankar në Evropën Qëndrore dhe Lindore“ që u kryesua nga z.Peter Nicholl, ish guvernator i Bankës Qendrore të Bosnjë e Hercegovinës. Në këtë sesion, pikëpamjet  e tyre rreth sfidave më të cilat po përballen sektorët bankar të vendeve të rajonit i shpalosën  Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës z.Gani Gërguri, z. Erdem Basci  Guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, z. Ardian Fullani  Guvernator i Bankës së Shqiperisë, z. Dimitar Bogov Guvernator i Bankës Nacionale të  Maqedonisë  dhe z. Radoje Zugic Guvernator i Bankës  Qendrore të Malit të Zi.
Me këtë rast, Guvernatori Gërguri ritheksoi nivelin e lartë të qëndrueshmërisë së sistemit bankar, i cili është arritur falë sjelljes së përgjegjshme të BQK-së dhe institucioneve financiare, pa harruar kontributin e rëndësishëm të performancës pozitive të ekonomisë së vendit në përgjithësi, e cila është karakterizuar me rritje të vazhdueshme ekonomike dhe stabilitet fiskal. Duke folur rreth temës së konferencës, Guvernatori Gërguri theksoi që për të shmangur efektet potenciale negative të konkurrencës në rrezikun bankar puna më e madhe duhet bërë në fazën e licencimit të institucioneve të reja bankare, duke bërë të mundur vetëm lincencimin e atyre institucioneve që kanë një vizion të qartë dhe prudent për funksionimin e tyre.
Në sesionin e dytë dhe të tretë të Konferencës u paraqitën ekspertë të ndryshëm të Bankave Qendrore të cilët shpalosën pikëpamjet dhe gjetjet e tyre studimore në fushën e konkurrencës dhe rrezikut bankar. Në sesionin e dytë, që u kryesua nga z. Reiner Martin, Zëvendës Kryesues i Divizionit për Vlerësim Financiar në Bankën Qendrore Evropiane, me prezantimet e tyre u paraqitën këta panelistë: z. Arben Mustafa, Drejtor i Departamentit për Stabilitet Financiar dhe Analiza Ekonomike në BQK; znj. Mariya Hake, Divizioni  për Kërkime të Jashtme në Bankën Qendrore të Austrisë; z. Bulent Koksal, Ekonomist në Departamentin e Institucioneve Bankare në Bankën Qendrore të Republikës së Turqisë; dhe znj. Silvia Prokopieva Petrov, Eksperte e Lartë në Drejtoratin për Stabilitet Financiar në Bankën Nacionale të Bullgarisë.
Në punimet e sesionit të tretë moderator ishte z. Daniel Hardy, Këshilltar në Autoritetin e Tregut Financiar të Austrisë dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Gjatë këtij sesioni, me prezentimet e tyre u paraqitën këta ekspertë: z. Andrzej Stopczynski, Këshilltar në Institutin Ekonomik të Bankës Kombëtare të Polonisë; z. Ivan Huljak, Këshilltar në Departamentin për Stabilitet Financiar në Bankën Nacionale të Kroacisë; z. Altin Tanku, Drejtor i Departamentit të Kërkimeve në Banka e Shqiperisë;  dhe z. Aljosha Popovski, Asistent i Guvernatorit në Bankën Kombëtare të Republikës së Maqedonisë.