BQK organizon konferencë nderkombëtare mbi konkurrencën dhe rrezikun bankar

Prishtinë, 02 tetor 2012
Me qëllim të promovimit të sektorit financiar të vendit dhe nxitjes së debatit për sfidat dhe zhvillimet në sektorët bankar të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, me fokus të veçantë në marrëdhënien ndërmjet konkurrencës dhe nivelit të rrezikut, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës organizon konferencën ndërkombëtare me titull “Konkurrenca kundruall marrjes së rrezikut në sektorët bankar të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore”, e cila do të mbahet më 5 tetor 2012 në Hotel Emerald, Prishtinë.

Kriza e fundit financiare vuri në pah rritjen e rreziqeve për sektorët bankar në nivel ndërkombëtar dhe nevojën për një qasje më të kujdesshme në menaxhimin e rrezikut. Rrjedhimisht, kjo konferencë synon të analizojë situatën aktuale duke nxjerrë njëkohësisht mësime rreth aspekteve të ndryshme të rreziqeve bankare me theks të veçantë në raportin ndërmjet konkurrencës dhe marrjes së rrezikut nga sistemi bankar. Konferenca do të mundësojë shkëmbimin e pikëpamjeve ndërmjet politikëbërësve, ekspertëve të kësaj fushe si dhe audiencës në lidhje me zhvillimet e fundit dhe të ardhmen e sektorëve bankar në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore.

Në këtë konferencë pjesëmarrjen e kanë konfirmuar Guvernatorë dhe ekspertë të shumtë nga Bankat Qendrore të vendeve të ndryshme të rajonit dhe të Bashkimit Evropian.

Klikoni këtu
për programin e konferencës.