Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe EFSE riafirmojnë përkushtimin për të nxitur financimin e ndërmarrjeve mikro dhe të vogla

  • BQK dhe EFSE shikojnë në bashkëpunimin e suksesshëm afër shtatëvjeçar
  • Nga investimet e EFSE kanë përfituar 66,000 ndërmarrës mikro dhe të vegjël me rreth 196 milionë Euro që nga viti 2005
  • Vëllimi i përgjithshëm i projekteve të asistencës teknike për mbështetje të zhvillimit të sektorit financiar arrin shumën prej 1.2 milionë Euro
  • Përparim i dukshëm është arritur në avancimin e përbashkët të axhendës së financave të përgjegjshme në Kosovë


Luksemburg dhe Prishtinë, 20 Shtator 2012 - Përfaqësues të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Guvernatori Gani Gërguri me bashkëpunëtorë, pritën sot Bordin e Drejtorëve të Fondit Evropian për Evropën Juglindore (EFSE) , kryesuar nga Monika Beck, Kryesuese e Bordit të Drejtorëve. EFSE, fondi më i madh mikrofinanciar në botë me më shumë se 850 milionë Euro kapital, shërben si një model i i financimit inovativ zhvillimor. Duke shikuar prapa në gati shtatë vite të bashkëpunimit të ngushtë, të dy institucionet shprehën përkushtimin e tyre për të vazhduar partneritetin e suksesshëm për të avancuar më tej zhvillimin e sektorit financiar të Kosovës, me veçanti në nxitjen e rritjes së bizneseve mikro dhe të vogla.
Që nga fillimi i veprimit të EFSE-së në Kosovë në vitin 2005, EFSE deri më tani ka investuar më shumë se 63 milionë Euro në institucione partnere të kreditimit, duke lehtësuar më shumë se 66,000 kredi – në vlerë prej 196 milionë Euro - për bizneset mikro dhe të vogla dhe ekonomitë familjare. Kontribut i veçantë në financimin e portfolios investive në Kosovë është dhënë nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Komisioni Evropian, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Agjencia Daneze për Zhvillim Ndërkombëtar (DANIDA).
Sot, EFSE bashkëpunon me pesë institucione partnere të kreditimit - ndër të cilat banka dhe institucione mikrofinanciare  në Kosovë. Përveç kësaj, EFSE ofron asistencë teknike për institucionet financiare në Kosovë me qëllim të përforcimit të kapaciteteve të tyre operacionale. Mbi 24 projekte në total prej 1.2 milionë Euro janë përfunduar që nga viti 2006, duke përfshirë edhe aktivitetet për promovimin e Financimit të Përgjegjshëm në nivel të sektorit financiar.
Pas takimit në BQK, Drejtorët e EFSE do të vizitojnë degët e institucioneve të ndryshme kredituese partnere në të gjithë vendin, për të fituar njohuri konkrete për realitetin e sektorit financiar Kosovar.
Gani Gërguri, Guvernator i BQK-së, pas theksimit të peformancës së mirë makroekonomike dhe stabilitetit të sektorit financiar të Kosovës, tha se për të "është një nder i veçantë të mirëpritet në Prishtinë Bordi i EFSE - një institucion që ka kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e sektorit tonë financiar dhe pa të cilin depërtimi i shërbimeve financiare në ekonomi nuk do të kishte thellësinë e njëjtë me atë që e ka sot. Kontributi i EFSE në Kosovë ka qenë shumëdimensional, duke filluar nga linjat e kreditit të lëshuara për institucionet e kreditimit, të cilat kanë kontribuar direkt në zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në vend, deri te hulumtimet dhe projektet e asistencës teknike të cilat kanë lehtësuar zhvillimin e përgjegjshëm të institucioneve financiare që operojnë në Kosovë. Në këtë drejtim, vlen të theksojmë dy projekte kërkimore në vlerësimin e mbi-ngarkesës me borxhe të klientëve në Kosovë, të cilat kanë ndihmuar edhe BQK-në në vlerësimin e përgjithshëm të rrezikut në sektorin financiar.
Gjatë këtyre shtatë viteve, BQK ka ruajtur rolin e një partneri të ngushtë të EFSE dhe do të vazhdojë të bëjë kështu duke intensifikuar edhe më shumë bashkëpunimin mes dy institucioneve. Në këtë drejtim, planifikojmë të ndërmarrim hapa konkretë drejt lehtësimit të kreditimit të sektorëve më pak të kredituar por të rëndësishëm të ekonomisë, me një fokus të veçantë në sektorin e bujqësisë, duke iu qasur si anës së ofertës ashtu edhe anës së kërkesës. Në diskutimet tona me përfaqësuesit e EFSE ne kemi theksuar nevojën e rritjes së kapaciteteve për vlerësimin e rrezikut të projekteve bujqësore nga ana e zyrtarëve të bankave si dhe nevojën për të mbështetur kapacitetet planifikuese të bizneseve në anën e huamarrësve bujqësorë. Për më tepër, planifikojmë për të zgjeruar bashkëpunimin tonë edhe në fushën e edukimit financiar të publikut, duke krijuar potencialisht një Qendër Këshilluese për Borxhe, e cila do të japë një kontribut të konsiderueshëm në rritjen e vendim-marrjes së përgjegjshme të publikut në lidhje me institucionet financiare dhe anasjelltas.
Për të përfunduar, BQK vlerëson lart kontributin e EFSE-së gjatë shtatë viteve të funksionimit të saj në Kosovë dhe do të vazhdojë të mbajë lidhje të ngushta me këtë institucion si nëpërmjet bashkëpunimit me zyrën e saj lokale në Prishtinë dhe gjithashtu përmes pjesëmarrjes tonë të rregullt në takimet e Bordit Këshillues të EFSE-së".
Monika Beck, Kryesuese e EFSE, mbi planet e ardhshme të EFSE-së për Kosovën: "Ne shikojmë të ardhmen me besim, me vullnet për të kontribuar në nxitjen e krijimit të vendeve të punës dhe prosperitetit në Kosovë nën frymën e Financimit të Përgjegjshëm. Përveç rritjes së investimeve nga ana e EFSE-së, ne gjithashtu do të rrisim asistencën teknike dhe programet e trajnimit për institucionet partnere kredituese. Së bashku me mbështetjen e përpjekjeve të Bankës Qendrore në promovimin e zhvillimt të një sektori financiar të shëndetshëm, këto masa do të shërbejnë gjithashtu për të rritur edukimin financiar. Unë jam veçanërisht e kënaqur që Mbledhja e Bordit të EFSE-së do të mbahet në Prishtinë, pasi kjo riafirmon partneritetin tonë të fortë me Kosovën si tërësi dhe me Bankën Qendrore në veçanti."
RRETH FONDIT EVROPIAN PËR EVROPËN JUGLINDORE (EFSE)
Fondi Evropian për Evropën Juglindore (EFSE) synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin në Evropën Juglindore dhe Rajonin e Fqinjësisë së Evropës Juglindore (ENR) të Bashkimit Evropian, duke përfshirë Shqipërinë, Armeninë, Azerbajxhanin, Bjellorusinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, IRJ të Maqedonisë, Gjeorgjinë, Kosovën, Moldavinë, Malin e Zi, Rumaninë, Serbinë, Turqinë dhe Ukrainën. Pasi që qasja në financa është një faktor kyç i suksesit në zhvillimin e segmenteve të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, EFSE fokusohet në mbështetjen e sektorëve lokalë financiarë që të forcojë aftësinë e tyre për të siguruar financim adekuat dhe të qëndrueshëm. Fondet të cilat EFSE i ofron si financim afat-gjatë  u dedikohen kryesisht ndërmarrjeve mikro dhe të vogla (NVM) - por edhe ekonomive familjare në formën e kredive për përmirësim të kushteve të banimit. Këto fonde  kanalizohen për ata huamarrës përmes institucioneve vendore partnere të kreditimit. Ajo që mbështet aktivitetet investuese të EFSE-së është Enti Zhvillimor i EFSE-së, i cili u ofron institucioneve kredituese partnere asistencë teknike, këshillim si dhe trajnime për ngritjen e kapaciteteve operacionale dhe menaxhimit profesional. EFSE është iniciuar nga KfW (Banka Gjermane për Zhvillim) më 15 dhjetor 2005 nga katër programe multi-donatore nën menaxhimin e saj. EFSE është partneriteti i parë publiko-privat i llojit të vet me fokus në financim zhvillimor dhe fondi i parë i menaxhuar privatisht i cili ka për qëllim tërheqjën e fondeve private për financim të NVM-ve në rajon. Kapitali është dhënë nga agjencitë e donatorëve, institucionet ndërkombëtare financiare dhe investitorët privatë institucionale, duke përfshirë Ministrinë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Komisionin Evropian, Qeverinë e Shqipërisë, Mbështetjen Kredituese për Biznese të Vogla dhe të Mesme CJSC (SMBCS) si filiale e Bankës Qendrore të Armenisë, Bankën për Zhvillim të Austrisë (Oesterreichische Entwicklungsbank - OeEB), Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Agjencinë Daneze për Zhvillim Ndërkombëtar (DANIDA), KfW-në si Investitor kyç, Korporatën Ndërkombëtare Financiare (IFC), Korporatën Holandeze të Financave (FMO), Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bankën Evropiane të Investimeve (BEI), Sal Oppenheim dhe Deutsche Bankën. Oppenheim Asset Management Services S.à RL nga Luksemburg është menaxhues i fondit, ndërkohë, që Finance in Motion GmbH nga Gjermania është këshillues i Fondit të EFSE-së.

Për më tepër informata për EFSE-n, ju lutemi vizitoni: http://www.efse.lu  
RRETH BANKËS QENDRORE TË KOSOVËS

Për më tepër informata për BQK ju lutemi vizitoni: http://www.bqk-kos.org
KONTAKTET PËR MEDIA

Fondi Evropian për Evropën Juglindore (EFSE)
Christine Prütz
Tel: +49 (0)69  97 78 76 50-22
E-mail: c.pruetz@finance-in-motion.com
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës
Besnik KadaTel:++381 38 222 055 107
Email:besnikkada@bqk-kos.org