Fillon Programi i Vlerësimit të Sektorit Financiar të Kosovës

Prishtinë, 19 shtator 2012
Guvernatori Gani Gërguri me bashkëpunëtorë ka pritur sot në takim zonjën Liliana Schumacher (Fondi Monetar Ndërkombëtar) dhe zonjën Aurora Ferrari (Banka Botërore) që të dyja udhëheqëse të misionit për Programin e Vlerësimit të Sektorit Financiar të Kosovës, mision ky i cili do të qendrojë në vendin tonë nga 18 shtator deri më 02 tetor 2012.
Pas njoftimit të misionit me objektivat dhe përgjegjësitë e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, me fokus të veçantë në funksionin e mbikëqyrjes së sektorit financiar dhe kornizën ligjore të këtij sektori, Guvernatori Gërguri ka falenderuar Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore që i ka dhënë përparësi Kosovës duke e futur në mesin e 18 vendeve të botës që po realizojnë një program të tillë gjatë vitit 2012.
I lansuar për herë të parë në vitin 1999, Programi i Vlerësimit të Sektorit Financiar është përgjegjësi e përbashkët e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore dhe paraqet një analizë të thellë dhe gjithëpërfshirëse të sektorit financiar të një vendi. Krahas ekzaminimit të stabilitetit të sektorit financiar, ky vlerësim fokusohet edhe në aspektet zhvillimore të këtij sektori duke marrë parasysh gjithmonë specifikat individuale të secilit vend. Në rastin e Kosovës, fokusi , midis tjerash, do të jetë në fushën e stres testit dhe kornizës makrporudenciale për sistemin bankar, parandalimin e jostabilitetit financiar, sigurimin e depozitave, qasjen në financim dhe një vlerësim teknik mbi sistemin e sigurimeve në vend.