Vazhdon interesimi i investitorëve të huaj për tregun bankar të Kosovës

Prishtinë, 7 gusht 2012.
Një delegacion i bankierëve nga Turqia ka vizituar sot Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës ku është pritur nga Guvernatori Gërguri dhe bashkëpunëtorët e tij të cilët kanë njoftuar mysafirët mbi profilin e sistemit bankar dhe ekonomik të Kosovës dhe mundësive për të investuar në të.
Guvernatori Gërguri ka nënvizuar përparësitë e sistemit bankar dhe atij ekonomik të vendit tonë si bazë e fortë ankorimi për investime të huaja. Në veçanti, në rrafshin makroekonomik është nënvizuar stabiliteti financiar dhe disciplina fiskale në vend e përcjell me normën më të lartë të rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto në regjion, ndërsa në rrafshin e sistemit bankar është nënvizuar shkalla e lartë e kapitalizimit të tij, likuiditeti i kënaqshëm dhe niveli njëshifror i kredive joperformuese. Gjithashtu, në takim janë theksuar edhe mundësitë e gjera që ofron ekonomia e vendit tonë për rritje të ndërmjetësimit bankar edhe në sektorë deri tash më pak të bankarizuar si prodhimi, bujqësia, turizmi, etj.