03/03/2015
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z.Bedri Hamza ka pritur sot udhëheqësin e çështjeve ekonomike rajonale të zyrës së Thesarit të Francës z.Jean-Marie Demange, ministër konsular në Ambasadën Franceze në Bullgari, i cili në këtë takim shoqërohej nga zëvendësja e misionit diplomatik në Kosovë znj.Lise Moutoumalaya.
Me këtë rast Guvernatori ka falënderuar z.Damange për ndihmën e pakursyer, që shteti francez ka dhënë dhe vazhdon të japë në Kosovë në forma të ndryshme, qoftë ajo ushtarake, ekonomike dhe formave të tjera deri te ndihma në ndërtimin e institucioneve të para të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe kontributin e dhënë në sferën e ndërtimit të kapaciteteve
të institucionit të BQK-së, me ç’rast banka është menaxhuar nga dy drejtorë menaxhues francezë të cilët kanë dhënë një kontribut të madh në zhvillimin e BQK-së. Po ashtu Guvernatori theksoi edhe praninë në sferën komerciale ,bankare siç është rasti i BNP Paribas , i pranishëm si pjesë aksionare në TEB.
Më tej Guvernatori bëri një rezyme para z.Demange për punën dhe aktivitetet që ushtron BQK-ja si dhe për të arriturat, që ndërlidhën me zhvillimet e industrisë financiare, për treguesit e shënuar për periudhën e tanishme të këtij viti, duke nënvizuar se kemi të bëjmë me tregues mjaft pozitivë, që janë bazë për një sistem të qëndrueshëm të sektorit financiar. Duke potencuar se një sistem i shëndoshë dhe i qëndrueshëm financiar është bazë e mirë e zhvillimit ekonomik në vend.
Ndërsa z. Jean-Marie Demange ka falënderuar Guvernatorin për pritjen dhe ka njoftuar edhe për vazhdimin dhe mundësitë e mbështetjes në projektet e ardhshme të cilat mund t’i përfitojë BQK-ja, qoftë nga vendi i tij apo nga institucionet ndërkombëtare financiare të vendeve të BE-së, ku një ndihmesë mund të japë edhe qeveria franceze në forma të ndryshme. Në fund Guvernatori mori përkrahjen e delegacionit francez për mbështetje të vazhdueshme të projekteve që ndërlidhën qoftë me BQK-në apo më institucionet dhe sektorë të rëndësishëm të ekonomisë së vendit .